ITALI-Çelsi ka fituar trofeun e parë të epokës Tod Bëuli, duke triumfuar 4-1 ndaj Real Betisit në finalen e Ligës së Konferencës UEFA. Ndonëse një kompeticion i rangut të tretë në Evropë, suksesi vjen vetëm katër ditë pas sigurimit të rikthimit në zonën e Ligës së Kampioneve nga blutë.
Fitorja, si çdo trofe, shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin rindërtues të klubit. Përballë një Betisi të fortë, që e nisi më mirë, Çelsi reagoi pas disavantazhit të hershëm falë magjisë së Koul Palmerit, që dhuroi dy asiste vendimtare në pesë minuta.
Trajneri Enzo Mareska, i cili pati emocione të veçanta kundër ish-trajnerit të tij Manuel Pelegrini, korrigjoi gabimet e pjesës së parë me zëvendësime që ndryshuan lojën. Italiani futi Risi Xhejmsin dhe Xhejdën Sançon, që shënoi golin e tretë.
Në fund, edhe Moises Kaiseido vulosi suksesin me një gol në kohën shtesë. Palmer, që s’kishte shënuar me aksion për 23 ndeshje, u vendos në qendër të skenës finale dhe tregoi pse meriton të qenit lojtari kyç i kësaj skuadre. Fitorja nuk i justifikon shpenzimet prej mbi 1 miliard paundësh, por Çelsi bëhet klubi i parë që i fiton të gjitha trofetë e mundshme të klubeve evropiane për meshkuj, Ligën e Kampioneve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Mareska tha se ky është vetëm fillimi i ndërtimit të një mentaliteti fitues, duke theksuar edhe rrugëtimin e fortë në Premier Ligë si provë e rritjes së ekipit. Skuadra, përveç trofeut të tretë të rëndësisë evropiane, siguroi pjesëmarrjen në Ligë Kampionesh dhe në Kupën e Botës për Klube, pjesëmarrje këto që do ta ndihmojnë të balancojë edhe financat me të hyra të reja./ZËRI