
SHBA- Aktori Eddie Murphy ka treguar një histori, ku kolegët e tij, John Belushi (aktori me origjinë shqiptare) dhe Robin Williams i ofruan kokainë në vitet 1980. 63-vjeçari u shpreh se e kishte refuzuar ofertën e tyre sepse nuk ishte i interesuar të provonte drogën.
“Më kujtohet që isha 19 vjeç dhe shkova në Bar Blues. Isha unë, Belushi dhe Robin Williams. Ata filluan të pinin kokainë dhe ma ofruan edhe mua, por e refuzova. Thjesht nuk isha i interesuar ta provoja. Duke mos pasur dëshirë apo kuriozitet, do të thosha se Zoti po më ruante në atë moment,”- tregoi ai duke folur në podkastin "The Interview" të The New York Times.
Belushi vdiq nga një mbidozë heroine në moshën 33-vjeçare në vitin 1982, ndërsa Williams vrau veten në vitin 2014 në moshën 63-vjeçare.
“Kur bëhesh i famshëm shumë i ri, veçanërisht kur je artist me ngjyrë, është si të jetosh në një fushë të minuar. Në çdo moment mund të ndodhë diçka që mund të kthejë gjithçka përmbys. Tani, në këtë moshë, unë mund të shikoj prapa dhe të them: "Uau, kam ecur nëpër një fushë të minuar për 35 vjet."
Murphy bëri debutimin e tij në Saturday Night Live në moshën 19-vjeçare. Pavarësisht se ishte i famshëm që në moshë shumë të re, ai konfirmoi se nuk ka konsumuar kurrë kokainë, madje shtoi se edhe kanabisin e provoi për herë të parë në moshën 30-vjeçare./ZËRI