Qytetërim

E rrallë/ Mjeku italian diplomohet për herë të 15-të

I moshuari italian tha se tashmë do të ndalet e nuk do vazhdojë me diplomime të tjera. Ai u shpreh se e ka pasion studimin.

D.XH
E rrallë/ Mjeku italian diplomohet për herë të 15-të
Mjeku italian

ITALI - Nuk është kurrë vonë për të plotësuar njohuritë që keni. Këtë thënie e dëshmon më së miri ky italian 91-vjeçar. Leonardo Altobelli, ish-mjeku i përgjithshëm nga Pulia, arriti që të marrë këtë 24 tetor, diplomën e tij të 15-të.

Burri mori gradën e tij të 15-të, në Kriminologji në kursin e Shkencave Investigative, një nga risitë e Universitetit të Foggia-s, në Departamentin e Drejtësisë, të drejtuar nga profesoresha Donatella Curtotti, ku Altobelli kishte marrë tituj akademik edhe në të kaluarën.

Me origjinë nga komuna e Troias, në zonën e Foggiano-s, një qytet të cilin ai e administroi edhe si kryetar bashkie në vitin 1984, 91-vjeçari i diplomuar dhjetëra herë tashmë, ishte një mjek i përgjithshëm në jetën e tij, deri në moshën 70-vjeçare. Megjithatë, gjatë karrierës së tij të gjatë, ai donte t'i pasuronte studimet, duke i bërë ato sa më të larmishme.

Në fakt, Altobelli krenohet me një ‘mozaik’ të larmishëm diplomash: nga Juridiku në Shkenca Politike, nga Letërsia në Filozofi, deri në një diplomë të dyfishtë në Pedagogji dhe kualifikime në Bujqësi, Shkencë dhe Teknologji Ushqimore, Shkencë Turizmi, Histori, Bioteknologji e Arkeologji.

Jo vetëm kaq, në kurrikulën e tij shumë të gjatë universitare ai krenohet gjithashtu me një diplomë master në Kriminologji dhe 7 diploma në mjekësi sociale, mjekësi sportive, ligj shëndetësor dhe mjek i përgjithshëm.

“Unë jam studenti më i vjetër në botë, por tani, pas kësaj diplome, do të ndalem, tashmë gjithçka le të mbetet një gjurmë e lënë nga unë”, tha 91-vjeçari.

Altobelli tha se ka qenë i pasionuar pas studimit dhe e përshkruan veten si një person, që kërkon të jetë njohuri të gjera në shumë fusha. Historia e tij e diplomimit të shumëfishtë ka ngjallur interes edhe për mediat më të rëndësishme italiane./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB