
TIRANË- Largimin nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit të Sokol Cikalleshit, me sa duket nuk e ka pritur mirë as Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Ky i fundit shprehet se nëse do të ishte në vend të Cikalleshit do të kishte bërë një reagim më të fortë pas largimit, pasi sipas Dukës, Cikalleshi ka dhënë shumë në fushën e blertë dhe për Kombëtaren kuqezi. Deklaratën Duka e bëri në një prononcim për ‘Euronews Albania”. Gjatë fjalës së tij, Duka tha se në vlerësimin e trajnerit Sylvinho, Broja është më i mirë se Cikalleshi. Por shtoi se nëse do të lihej Broja jashtë reagimi i opinionit do të ishte i njëjtë.
Armando Duka: Mund të ishte shumë mirë, se ka kontribuar shumë, por nëse Cikalleshi do ishte brenda dhe Broja jashtë do kishim të njëjtin diskutim, ndaj thashë që kjo është subjektive. Nuk mendoj se do isha më pak i mërzitur se Cikalleshi nëse do isha në vend të Cikalleshit. Do isha mërzitur shume dhe ndoshta do bëja ndonjë deklaratë edhe më shumë se tërheqja nga Kombëtarja, sepse kur ti e do një gjë dhe ke kontribuar duket sikur vërtetë të është bërë një padrejtësi, dhe mund të jetë. Sepse pikërisht për këtë është subjektive, në vlerësimin e dikujt është më i mirë Cikalleshi se Broja, në vlerësimin e Silvinjos është Broja më i mirë se Cikalleshi, me të drejtë është mërzitur.
Në listën me 26 lojtarë që janë grumbulluar nga trajneri i Kombëtares, emri i Sokol Cikalleshit mungonte. Kjo e ka mërzitur sulmuesin, i cili me anë të një reagimi në rrjetet sociale, njoftoi dhe shkëputjen përfundimtare nga Kombëtarja. Një emër tjetër që nuk do të jetë pjesë e lojtarëve që do të shkojnë në ‘Euro 2024”, është Myrto Uzuni./ZËRI