
TIRANË- Komisioni i Disiplinës, i Federatës Shqiptare të Futbollit ka gjobitur me një shifër rekord klubin e Futbollit Labëria FC, për shkak të postimeve të papërshtatshme në rrjetet sociale. Kështu, ajo është e detyruar të paguajë një gjobë që shkon në shifrën e 10 milionë lekëve. Ky klub sportiv, bënte publikime jo etike, fyese dhe diskriminuese ndaj zyrtarëve të futbollit duke cënuar dhe integritetin e tyre.
“Laberia FC, për publikimin e deklaratave fyese dhe diskriminuese që cënojnë reputacionin e futbollit dhe zyrtarëve të saj, në bazë të neneve 6/1/c, 6/4, 8, 13, 15/1, 47 dhe 77 të KDE, dënohet me gjobë në masën 10.000.000 (dhjetë milion) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%”, thuhet në vendimin e Komisionit të Displinës.
Po ashtu është dënuar dhe një zyrtar i Labëria FC, bëhet fjalë për Nikollaq Divian. Ky i fundit sipas Disiplinës së FSHF-së dënohet për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.


Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka dalë me një vendim këtë të enjte dhe për dhunën në ndeshjen për femra mes Tiranës dhe Vllaznisë. Sipas vendimit Tirana dënohet me zbritjen e 3 pikëve në klasifikim. Ndërsa vajzat e Vllaznisë dënohen me humbjen e sfidës në tavolinë në rezultatin 3-0. Ndërkaq, janë dhënë edhe dënime të tjera për ngjarjen në fjalë, duke përjashtuar për këtë sezon nga aktivitetet futbollistike presidentin e Vllaznisë për femra, Lazër Matlija, si dhe drejtoreshën e Tiranës për femra, Edonisa Aliu./ZËRI