
TIRANË – Policia e Tiranës ka arrestuar 4 tifozë, të cilët akuzohen se kanë shkaktuar dhunë në derbin Tirana-Partizani, si dhe kanë hedhur flakadanë në fushë. Të arrestuarit janë të gjithë banues në Tiranë dhe janë të moshave nga 19-35 vjeç.
Gjithashtu, nga policia janë shoqëruar në komisariat 3 tifozë të tjerë. Ndërsa, 2 janë shpallur në kërkim. Tifozët akuzohen për disa vepra penale si “Prishja e qetësisë publike”, “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” dhe “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”.
Njoftimi i policisë:
Deri tani janë arrestuar 4 shtetas: D. A., 21 vjeç, R. M., 35 vjeç, Q. C., 19 vjeç dhe E. D., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, njëri prej tyre 14 vjeç, dhe R. B., 26 vjeç, G. X., 24 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit J. S., 27 vjeç, dhe M. B., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Sfida derbi e kryeqytetit, mes Tiranës dhe Partizanit përfundoi barazim 1:1./Zëri.ai/