
Elbasan Arena- Dinamoja e Tiranës, në drejtimin e trajner Ilir Dajës, sot, në derbin përballë Partizanit të drejtuar nga Arbër Abilaliaj, dha një tjetër provë të formës së shkëlqyer dhe cilësisë së lartë që po kalon skuadra.
Në "Elbasan Arena", Dinamoja e vendit të dytë dhe Partizani i vendit të katërt u përballën sot në kuadër të javës së tridhjetë e një të kampionatit. Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të gazetarit sportiv Saimir Demi.
Në "Elbasan Arena" ra në sy numri i vogël i ndjekësve, nga të dy skuadrat, që nuk i kalonte pesëqind shikues. Një shifër e papërfillshme në raport me rëndësinë e ndeshjes, skuadrave dhe cilësinë e lojës në fushë.
Dinamoja e Ilir Dajës ishte më kërkuese në fushë, nga krahët dhe nga aksionet e ndërtuara bukur me shumë pasime nga thellësia. Neni, Zabërgja dhe Vila patën të gjithë mundësitë e tyre në pjesët e para, por pa sukses. Tërheqja muskulare e brazilianit Lloran, i cili deri në minutën e tridhjetë e shtatë ishte më i miri në fushë për blutë, ngjalli frikë dhe dyshim në radhët e tifozerisë blu, por skuadra e Dajës e rriti ritmin në pjesën e dytë.
Zabërgja, më i miri në fushë, në minutën e gjashtëdhjetë përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes së kuqe dhe e mposhti portierin e Partizanit. Dinamoja edhe pas golit nuk reshti së provuari. Preku madje edhe një traversë. Disa herë Nani nga krahu i djathtë humbi vëmendjen në raste që mund të ishin shfrytëzuar mirë. Vila u ndal një herë tjetër nga portieri. Në të gjitha parametrat e lojës, takimi me Partizanin u dominua nga blutë, që mund të arrinin një rezultat më të thellë.
Në minutën e fundit shtesë, arbitri Juxhin Xhaja dha një penallti për një faull brenda zone për Partizanin. Domgjoni e shpërdori atë që ishte rasti i parë dhe i vetëm i pastër për Partizanin në minutën e nëntëdhjetë e pestë. Dinamoja ngjitet vetëm një pikë pas Egnatias së Rrogozhinës, 54 pikë në vendin e dytë. Partizani mbetet i katërti me 44 pikë./ZËRI