
ITALI-Derbi mes Lacios dhe Romës përfundoi 1-1. Sky Sport shpalli si lojtar të ndeshjes argjentasin Sulé, autor i golit të barazimit në fund. Një gol i bukur nga distanca me ndihmën e traversës së sipërme, por edhe me ndihmën e teknologjisë së vijëkalimit të topit.
Te skuadra e Ranierit paraqitje shumë e mirë u bë edhe nga portieri Svilar. Të paktën 5 herë e ndali golin nga Lacioja, që u duk më kërkuese. Çmontimi i pozitave të Paredesit, kollonë e mesfushës romaniste, ishte lëvizja e zgjuar e Baronit. Pelegrini dhe Dovbik u neutralizuan po ashtu mirë.
Te skuadra laciale e Baronit, më i miri ishte Romanjoli, autori i golit të avantazhit pas krosimit të një tjetër ish-romanisti e tifozi lacial që nga fëmijëria, njësoj si Romanjoli, Pelegrini. Të vetmit që u dukën nën nivelin e mirë të skuadrës laciale ishin Marushiç për nga sipërmarrja dhe Dele-Bashiru për nga kthjelltësia.
Shtatë herë u vu në provë me sukses në total portieri romanist, pesë prej të cilave raste të pastra, që e meritoi veçimin ndër lojtarët romanistë me pritjet shpëtuese. Kontrolli i topit në fushë ishte i balancuar, por u duk një Lacio më kërkuese, edhe nën mbështetjen e publikut të zjarrtë bardhekaltër.
Koreografia e tifozëve lacialë ishte mahnitëse dhe një nxitje e mëvetshme për cilësinë e mirë të lojës, po të mbahet parasysh se skuadra vinte pas figurës më të keqe të sezonit në Norvegji me Bodo Glimtin.
Me këtë barazim Lacioja qëndroi brenda hartës së Evropës, në pozitën e gjashtë, që siguron pjesëmarrjen në Konferencë. Sigurisht që kjo pozitë nuk është as e kënaqshme, as e sigurt. Roma vjen si ndjekëse dy pikë më pas. Megjithatë, përjashtuar dy skuadrat në garë të vijueshme për titull, kampionati italian për 6 javët e mbetura paraqet një situatë shumë interesante dhe garënxitëse për vendet evropiane: nga Atalanta e vendit të tretë, 61 pikë, te Milani i vendit të nëntë janë vetëm 10 pikë diferencë. Lacioja e vendit të gjashtë, fjala vjen, është vetëm 5 pikë larg vendit të tretë dhe si secila skuadër brenda këtij segmenti të renditjes, Juventusi, Bolonja pararendëse,Roma ndjekëse, Fiorentina e Milani si ndjekëse të Romës, kanë të drejtën e të provuarit deri në fund./ZËRI