
SHBA- Dhjetëra shtete paditën të martën Instagramin, i cili është në pronësi të Meta-s, pasi e akuzon gjigantin e mediave sociale për dëmtimin e shëndetit mendor të përdoruesve të rinj përmes veçorive të dyshuara të varësisë, si lajmet e pafundme dhe njoftimet e shpeshta që kërkojnë vëmendjen e vazhdueshme të përdoruesve.
Në një padi federale të ngritur në Kaliforni nga 33 prokurorë të përgjithshëm, shtetet pretendojnë se produktet e Metës kanë dëmtuar të miturit dhe kanë kontribuar në një krizë të shëndetit mendor në Shtetet e Bashkuara.
“Meta ka përfituar nga dhimbja e fëmijëve duke projektuar qëllimisht platformat e saj me karakteristika manipuluese që i bëjnë fëmijët të varur nga platformat e tyre, ndërkohë që ulin vetëvlerësimin e tyre”, tha Letitia James, prokurorja e përgjithshme për Nju Jorkun, një nga shtetet e përfshira në padinë federale.
“Kompanitë e mediave sociale, përfshirë Meta, kanë kontribuar në një krizë kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Shteti i Floridas e paditi kompaninë Meta në padinë e tij të veçantë federale, duke pretenduar se ajo përmes Instagramit mashtronte përdoruesit në lidhje me rreziqet e mundshme shëndetësore të produkteve të saj.
Padia federale shumështetërore e së martës, e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të SHBA për Distriktin Verior të Kalifornisë, akuzon Metën për shkeljen e një sërë statutesh të mbrojtjes së konsumatorit të bazuara në shtet, si dhe një ligj federal për privatësinë e fëmijëve të njohur si COPPA që i ndalon kompanitë të mbledhin të dhënat personale dhe informacione për fëmijët nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.
“Zgjedhjet dhe praktikat e dizajnit të Meta-s përfitojnë dhe kontribuojnë në ndjeshmërinë e përdoruesve të rinj ndaj varësisë”, thuhet në ankesë.
"Ata shfrytëzojnë dobësitë psikologjike të përdoruesve të rinj përmes premtimit të rremë se lidhja shoqërore kuptimplotë qëndron në historinë, imazhin ose videon e ardhshme dhe se injorimi i pjesës tjetër të përmbajtjes sociale mund të çojë në izolim social."
Vala e padive është rezultat i një hetimi dypartiak, shumështetëror që daton nga viti 2021, tha në një konferencë shtypi të martën Prokurori i Përgjithshëm i Kolorados, Phil Weiser, pasi informatorja e Facebook, Frances Haugen, doli me dhjetëra mijëra dokumente të brendshme të kompanisë që sipas saj tregonin tregonin se si kompania e dinte se produktet e saj mund të kishin ndikime negative në shëndetin mendor të të rinjve./Zëri.ai