
GJERMANI- Na ndan vetëm një ditë nga ndeshja debutuese mes Italisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për grupin B, ndërkohë që axurrët shihen si favoritë absolutë në letër, por kuqezinjtë kanë premtuar surpriza në fushën e lojës.
Gianni De Biasi, ish-trajneri i kombëtares shqiptarë gjatë viteve 2011 dhe 2017, ndodhet në Gjermani, me ftesë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ka folur në lidhje me përballjen, për mediat italiane.
“Nuk e di çfarë ndeshjeje do të zhvillohet. Sigurisht që do të jetë e vështirë për të dyja kombëtaret, – ishin fjalët e trajnerit për “Ansa”. – Është ndeshja debutuese, e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë”.
De Biasi ishte trajner i kombëtares shqiptare për 5 vite e gjysmë, duke e udhëhequr atë në një kualifikim të parë historik, në Kampionatin Europian 2016. Për pasojë ka merituar gjithashtu shtetësinë e nderit, si dhe një ftesë zyrtare për në Dortmund nga FSHF, për ta ndjekur ndeshjen “live” ndeshjen: “Në Gjermani do të ketë një turmë të rëndësishme, do të jetë një spektakël plot ngjyra. Të dyja tifozëritë kanë komunitete shumë të mëdha atje, sigurisht që do të ketë një atmosferë të bukur”.
Tani skuadra drejtohet nga Silvynho dhe De Biasi është i sigurt se Spalletti do të mund të gjejë kundërmasat e duhura: “Luciano e njeh shumë mirë Shqipërinë, sepse shumë lojtarë të tyre luajnë në ligën tonë. Ai nuk ka nevojë për këshilla, do ta përgatisë skuadrën mjaft mirë”.
Së fundi, një shaka për ndjenjat e tij ndaj sfidës dhe të ardhmes: “Kam shumë kuriozitet dhe interes për atë që do të shoh, gjithashtu për atë që do të ndjej të shtunën. Për mua, duke qenë brenda, ndjesitë nga jashtë janë të ndryshme. E ardhmja ime? Shpresoj të kem një eksperiencë tjetër jashtë vendit, sigurisht që nuk do të jem trajner në Itali, siç thashë më 2010”./ZËRI