Qytetërim

Bushi pret rezultat pozitiv kundër Rumanisë dhe Malit të Zi

Përfaqësuesja Shpresa nis më 12 nëntor përgatitjet në Durrës, ndërsa tekniku ka ftuar 24 lojtarë. Në konferencën për shtyp në “Shtëpine e Futbollit”, Bushi tregoi objektivat për dy takimet.

i.h.
Bushi pret rezultat pozitiv kundër Rumanisë dhe Malit të Zi
Foto ilustruese

TIRANË- Trajneri i kombëtares U-21 Alban Bushi i cilëson si ndeshje shumë të forta, dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Euro 2025 kundër Rumanisë dhe Malit të Zi në transfertë. Përfaqësuesja Shpresa nis më 12 nëntor përgatitjet në Durrës, ndërsa tekniku ka ftuar 24 lojtarë. Në konferencën për shtyp në “Shtëpine e Futbollit”, Bushi tregoi objektivat për dy takimet.

"Duhet të jemi më shumë të ekuilibruar, sepse në ndeshjen që zhvilluam këtu me Rumaninë na kanë vendosur shpeshherë në vështirësi dhe na kanë kapur në kundërsulm. Do të mundohemi të jemi më të ekuilibruar në ndeshjet që do të zhvillojmë më Rumaninë, po ashtu edhe me Malin e Zi sepse është një kundërshtar në nivel pothuajse me ne,"- tha Bushi për mediat.

Nga lista e të grumbulluarve, 10 lojtarë janë nga kampionati shqiptar. Por Bushi kërkon më shumë hapësira për talentet vendas në ekipet shqiptare.

"Shqipëria nuk është se ka shumë lojtarë të rinj, nga kampionati nuk është se i japin shumë hapësirë të rinjve dhe ky është një problem i madh për ekipin Kombëtar U-21 sepse nuk ka ku të kërkojë lojtarë, prandaj jemi munduar të shikojmë gjithmonë jashtë. Edhe pak lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar, nuk është se punohet shumë me ata nga ana individuale, për t’i rritur si fizikisht, si teknikisht, si taktikisht,"- vazhdoi ai.

Tekniku e pranoi se ka pasur kontakte me talentin 17 vjëçar të Bajern, Arijon Ibrahimoviç, i cili po shkëlqen te Frosinone.

"Nuk diskutohet fare që ka patur kontakte Shqipëria. Për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thërritur. Por çdo lojtar shqiptarë që është në kampionatet e Europës që luan dhe ka nivel për ekipin Kombëtar është i kontaktuar 100 % nga ne,"- sqaroi Bushi.

Shqipëria kryeson Grupin E me 9 pikë pas 4 takimesh. Rumania dhe Mali i Zi janë me nga një ndeshje më pak dhe kanë respektivisht 6 dhe 3 pikë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB