
GJERMANI- Bajerni e fitoi në pjesën e dytë ndeshjen me Augsburgun. Skuadrat barazuan 1-1 në pjesën e parë. Trajneri Kompani, prej kohësh, është i shtrënguar të luajë pa portierin Nojer dhe treshen mbrojtëse Upamekano, Ito dhe Dejvis, ndërsa mesfusha dhe treshja e avancuar ndjenë edhe këtë javë mungesat e Pavloviçit dhe Komanit, siç i kemi raportuar më parë në Zëri mungesat e shumta bavareze.
Sot, ndaj Augsburgut, Guerreiroja, mbrojtësi i krahut, u rikuperua, por qëndroi në stol dhe gjeti minuta aktivizimi vetëm në pjesë të dytë.
Formacioni u rreshtua me skemën klasike 4-2-3-1, me Sane, Musiala dhe Olize pas sulmuesit Kejn, rreshtim që mendohej se do të kryente provën gjenerale të përpara sfidës me Interin. Gjithçka u shkatërrua në mes. Lojtari më i mirë dhe më i shtrenjtë i bavarezëve, Xhamal Musiala braktisi lojën për shkak të një tërheqjeje muskulare dhe me gjasë do të mungojë në dy ndeshjet ndaj Interit.
Ndaj Augsburgut loja nisi e ngadaltë. Meritë kishte rreshtimi i mirëorganizur në mbrojtje i vendasve, mbrojtja e gjashta më e mirë e kampionatit, që mbylli hapësirat dhe goditi në minutën e tridhjetë me një aksion të ndërtuar nga një top i gjatë i Gouweleeuw-t, që përfundoi te Gjianulis, ky i fundit shmangu Laimerin dhe shënoi me një goditje të fuqishme 1-0.
Bajerni reagoi vetëm me një shkëndijë individuale dhe baraspeshën e vuri goli i Musialës 1-1.
Pjesa e dytë ishte ndjeshëm më e mirë. Në minutën e gjashtëdhjetë Kejn i përgjigjet bukur asistit të Olziesë në shtyllën e dytë. 1-2. Në minutat e fundit të lojës së rregullt vendasit shkaktuan edhe autogol 1-3. Për t'u parë dëmtimi i Musialës dhe vlerësimi nga mjekët e skuadrës si dhe plani "B" i Vinsent Kompanisë në përballjen me Interin për çerekfinalen e Ligës së Kampioneve./ZËRI