
ITALI- Sipas dokumentacionit të transparencës financiare më të fundit të publikuar nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC), klubet e Serie A kanë shpenzuar gati 1 miliard euro në pesë vitet e fundit për pagesat ndaj agjentëve sportivë. Shpenzimet përfshijnë komisione nga transfertat e lojtarëve, rinovimet e kontratave dhe marrëveshje të tjera.
Vetëm në vitin 2024, klubet italiane kanë paguar 226 milionë euro, 6 milionë më shumë në krahasim me vitin paraardhës.
Juventusi ka shpenzimet më të larta ndaj agjentëve, siç paraqiten edhe në tabelën e përpunuar nga siti "transfermarkt", duke i ndërruar pozitat e vitit të kaluar me rivalët e Interit. Të dy klubet rivale kanë paguar mbi 100 milionë euro secila në 5 vjet.
Roma renditet e treta me një shumë pranë 100 milionëve, ndërsa Lacioja paraqet një tjetër model: ajo renditet e njëmbëdhjeta me vetëm 36.3 milionë euro në 5-vjeçar.
Për herë të parë u publikuan të dhënat e transparencës financiare për agjentët në vitin 2015. Asokohe shuma totale e shpenzimeve ishte 84.5 milionë euro. Shifrat tregojnë se shpenzimet aktuale janë gati trefishuar./ZËRI