
MILANO – Milani u eliminua nga Kupa e Italisë nga Atalanta. Kuqezinjtë e drejtuar nga Stefano Pioli humbën me rezultatin 1:2 në shtëpi kundër Atalantës, në ndeshjen çerekfinale të evenimentit. Ndeshja në San Siro dhuroi spektakël, përmbysje, kartonë dhe çdo gjë që mund të ofrojë një ndeshje futbolli. Një paraqitje dinjitoze kishte edhe mbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti, kapiteni i Shqipërisë.
Sfida nisi keq për Atalantën, pasi ekipi e pa veten pa trajnerin, pas ndëshkimit me karton të kuq të trajnerit Gasperini. Miqtë e panë veten edhe në disavantazh, pasi në minutën e 45 për Milanin realizoi Leao. Avantashi i kuqezinjve zgjati 2 minuta, pasi Koopmeiners realizoi për Atalantën dhe pjesa e parë u mbyll në barazim 1:1.
Në pjesën e dytë sërish për Atalantën u bë hero Koopmeiners. Ai shënoi këtë herë nga penalltia. Në fund të sfidës, Milan pretendoi për penallti. Mirëpo, pasi rasti u pa nga VAR, gjithçka u konsiderua e rregullt. Kështu, Atalanta e Gjimshitit eliminoi nga Kupa Milanin.
Pioli: Atalantës iu fal një penallti
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, duke folur për eliminimin e kuqezinjve në çerekfinale të Kupës së Italisë deklaroi se Atalantës iu fal një penallti. Sipas tij, penalltia që u akordua për ekipin nga Bergamo nuk qëndronte./ZËRI/