
Uembli– Anglia fitoi 2-0 ndeshjen e djeshme. Shqipëria ishte e butë dhe gati e pafuqishme për të shënuar të paktën një gol. Goli i vetëm i historikut të përballjeve Angli-Shqipëri mbetet ai i Altin Rrakllit në 23 marsin e vitit 2001. Futja e Brojës dha shkëndija sulmuese, por të pamjaftueshme. Pjesa e parë, përpos mbrojtjes së kujdesshme, nuk krijoi.
Debutuesi Ljusi-Skelli, 18-vjeçar, rrëshkiti nga e majta e mbrojtjes së tij, ku nuk u ngacmua sa duhej nga Asani dhe Balliu, për të zbritur pranë shtyllës së dytë të Strakoshës, i gjendur zbuluar pas një asisti gjenial të Belingamit. Aty edhe shënoi.
Të dytin anglezët e shënuan në pjesë të dytë, me një mjeshtëri sulmuesi në marrje dhe zhvendosje nga mbulimi të Herri Kejnit, që i shënon golin e pestë personal Shqipërisë në përballjet direkte.
Shqipëria e djeshme la ndjesinë që nuk hodhi në fushë të gjitha rezervat e saj, si edhe nuk korri maksimumin e mundshëm prej tyre. Nga krahët u sulmua vetëm pasi Broja hyri në lojë, ndërsa në qendër, nga Laçi e Bajrami u ndërtua pak dhe shumë ngadalë për të mos u lënë kohë anglezëve në ndërhyrje.
Me Uzunin qendërsulmues, e paqartë mbetet se si u provua në mënyrë të vazhdueshme topi i lartë.
Ndeshje shumë e mirë dyshes së mbrojtjes, Gjimshiti dhe Ajeti në përballjen me sulmin e anglez. Sinjale shprese nga grinta dhe talenti i pafundmë i Brojës. Përveç rastit të Kejnit, mjeshtëror në lëvizjen e tij, Ajeti thuajse nuk gaboi asgjë./ZËRI