
TIRANË- Sot është Dita e Sulltan Nevruzit, një festë nga më të rëndësishmet për komunitetin bektashi. Besimtarët bektashianë festojnë, Dita e Sulltan Novruzit ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit.
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.
“Novruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.
Në Shqipëri Dita e Novruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22. Përveç se një festë fetare në Shqipëri, Nevruzi njihet edhe ndërkombëtarisht prej OKB-së si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.
Me rrënjë që shtrihen mbi 3000 vjet në epokën e Zoroastrianizmit, Nevruzi paralajmëron ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin e pranverës. Dita e Nevruzit bashkon kultura të ndryshme në të gjithë Iranin, Azinë Qendrore, Kaukazin, Ballkanin dhe më gjerë, duke ofruar zakone dhe vlera të pasura të zakoneve. Njohja ndërkombëtare nga UNESCO dhe Kombet e Bashkuara nënvizon rëndësinë e saj si një ngjarje kulturore unifikuese në botën tonë gjithnjë e më të ndërlidhur./ZËRI