
NORVEGJI - Pema tradicionale e Krishtlindjeve e Londrës është marrë nga Norvegjia dhe tashmë do të shkojë në sheshin Trafalgar. Bredhi u rrit në Nordmarka, pyjet në veri të Oslos dhe do të ngarkohet në një anije, për t’u nisur për në kryeqytetin e Anglisë.
Me një lartësi prej 19 metrash, pema do të arrijë në Londrën qendrore në fillim të muajit të ardhshëm, përpara një ceremonie zyrtare më 7 dhjetor. Bredhi norvegjez dërgohet çdo vit në Londër, si shenjë falënderimi për mbështetjen e Britanisë ndaj Norvegjisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një ekip specialistësh do të vendosë bredhin në sheshin Trafalgar, duke përdorur një vinç hidraulik. Pema do të zbukurohet në mënyrë tradicionale, me drita që ndriçojnë, tha Këshilli i Uestminster. Kryebashkiakja e Uestminster, Patricia McAllister iu bashkua ambasadorit britanik Jan Thompson për ceremoninë zyrtare të prerjes së pemës në Norvegji. Gjithçka u organizua nga kryetarja e bashkisë së Oslos, Anne Lindboe, dhe në të morën pjesë gjithashtu fëmijë të shkollave fillore vendase, zyrtarë të përfshirë në mirëmbajtjen e pyllit dhe njerëz që ishin mbledhur rastësisht.
Në këtë vit, mbushen 76 vjet, që kur mbreti Haakon VII dërgoi bredhin e parë në Londër. Kur Norvegjia u pushtua në vitin 1940, Mbreti i Norvegjisë kërkoi strehim në Britani dhe qeveria norvegjeze në mërgim u krijua në Londër. Për shumicën e norvegjezëve, Londra përfaqësonte frymën e lirisë, gjatë këtyre viteve të vështira të luftës./Zëri.ai/