
Sylvinho ka edhe katër javë të mbetura në kontratë si trajneri i kombëtares së Shqipërisë. Edhe pse kreu i FSHF-së Armand Duka i ka ofruar një marrëveshje të re prej janarit, palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vijuar "martesën".
Pas Europianit 2024 me Shqipërinë, për trajnerin ka pasur shumë interes dhe disa ditë më parë "AS" në Spanjë bënte me dije se për të kishte tre skuadra të interesuara. Tanimë nga Brazili "Sambafoot" bën me dije se Corinthians dëshiron të rikthejë në ekip 50-vjeçarin. Media në fjalë shkruan se Sylvinho pëlqehet nga brazilianët e Corinthians, skuadër të cilën ai e ka drejtuar edhe më parë.
Ndërkohë Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka konfirmuar për "Sport Italia" se javën që vjen do takohet me trajnerin Sylvinho për të diskutuar kontratën e re. Tanimë e ardhmja e Sylvinhos është çështje për Kombëtaren, me trajnerin që nuk është më nën kontratë pas Euro 2024 dhe pret ofertat e ndryshme, që duhet thënë se nuk mungojnë nga Evropa apo edhe nga Brazili.
"Kontrata e tij ka përfunduar pas eliminimit nga Europiani, por ne i kemi ofruar rinovimin që në muajin janar dhe propozimi qëndron ende. Besoj se do të finalizojmë shpejt marrëveshjen, pasi edhe ne duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Aktualisht Sylvinho është me pushime dhe javën e ardhshme do të takohemi sërish për të diskutuar për vijimin e punës së nisur së bashku", tha Duka.
50-vjeçari udhëhoqi Corinthians në 43 ndeshje, duke marrë mesatarisht 1.44 pikë për ndeshje. Ajo që shtyn edhe më shumë kryerjen e këtij operacioni, është fakti se Sylvinho shihet si i duhuri edhe nga tifozët e skuadrës së Serie A braziliane.