SHBA - Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara ka publikuar listën me fshatrat më piktoreskë në botë.
Në këtë listë gjenden fshatra, ku mund të gjeni qetësinë që dëshironi, peizazhe fantastike, diversitet kulturor, vlera lokale dhe ushqime tradicionale vendore. Më poshtë gjeni 5 fshatrat më interesantë, për t’u vizituar në mbarë botën:
Hakuba, Japoni
Kultura e mikpritjes në këtë fshat e bën atë të veçantë. Kështu shprehet një nga turistët që ka vizituar zonën. Ky fshat mbulohet nga dëbora gjatë dimrit, prandaj këtu mund të bëni lehtësisht ski. Hakuba, e cila është e rrethuar nga 10 vendpushime të ndryshme të skive, priti Lojërat Olimpike Dimërore të Naganos 1998. Edhe në pranverë, kur ‘mbijnë’ qershitë, ka ende borë të mjaftueshme në male për të skijuar.

Ndërsa Hakuba mund të jetë i famshëm për borën, ia vlen të vizitohet gjatë gjithë vitit. Në verë, mund të ecni në male për në shtëpiza. Vendi shquhet për bukuri natyrore të mahnitshme.
Lerici, Itali
Ky vend ka mahnitur udhëtarët, që kërkojnë pamje mahnitëse të detit, plazhe të pastra dhe shtëpi shumëngjyrëshe. Lerici ndodhet në rajonin e Ligurias. E vendosur në bregun veriperëndimor italian, 100 km në jug të Genovas (ose 10 km në jug të La Spezia, një qendër popullore udhëtimi për të shkuar në Cinque Terre), Lerici nuk është një vend top sekret.

I quajtur ‘kryeqyteti’ i "Gjirit të Poetëve", Lerici pret festivale të shumta kulturore dhe artistike, si Festivali i Muzikës Lerici, konkursi letrar Premio Lerici Pea Golfo dei Poeti dhe ekspozita të rregullta arti. "Gjatë shekujve, Lerici ka mirëpritur emra të mëdhenj të kulturës, letërsisë dhe artit që e kanë zgjedhur atë si një vend frymëzimi," tha kryebashkiaku i Lericit, Leonardo Paoletti, duke përfshirë poetin Percy Bysshe Shelly, romancieren Virginia Uoolf dhe autorin dhe regjisorin Pier Paolo Pasolini.
Lerici gjithashtu ka ruajtur me kujdes industrinë tradicionale të peshkimit. “Lerici ka kultivimin më të vjetër të midhjeve në Itali, që daton në shekullin e 19-të”, thonë vendasit.
Vendbanimi drejton një projekt pilot të quajtur Smart Bay, i cili përfshin kërkime shkencore dhe monitorim të gjirit dhe ekosistemeve të tij. Në zonë ndalohet plastika me një përdorim dhe ndalohet gjithashtu pirja e duhanit në zonat bregdetare.
Lephis, Etiopi
Për bukurinë natyrore dhe jetën e egër, është e vështirë të gjesh konkurrent ndaj fshatit Lephis, që ndodhet në Pyllin Lephis, rreth 160 km në jug të kryeqytetit etiopian, Addis Ababa. Udhëtarët mund të ecin ose të kalërojnë përtej Ujëvarës së mrekullueshme Lephis nëpër kodra dhe lugina, e mund të shohin shumë kafshë, duke përfshirë majmunët kolobus dhe leopardët. Vëzhguesit e zogjve vizitojnë shpesh vendin, pasi këtu mund të gjenden specie të rralla, duke përfshirë oriolën abysiane dhe turacën me faqe të bardha.
"Unë shpesh shkoj atje me turistë për të parë faunën dhe florën. E dua shumë si vend", tha Biruk Chiksa, nga një guidë turistike.

Pylli është gjithashtu i banuar, pasi aty jetojnë 2,000 familje, shumë prej të cilave tani mbështeten nga ai që quhet Lephis Ecoturism Village – një nismë për të ruajtur trashëgiminë lokale dhe për të ndihmuar komunitetin, duke inkurajuar turizmin.
Vizitorët mund të shohin punime artizanale si stoli me rruaza dhe gdhendje druri të bëra nga bari dhe bambuja vendase, falë Shoqatës së Artizanatit të fshatit, e cila punëson rreth 17 gra dhe tre burra.
Douma, Liban
Shtëpitë tradicionale prej guri me çati me pllaka të kuqe, pamja nga malet përreth Batroun, kishat shekullore dhe një vend i restauruar së fundmi. Ky është fshati Douma, i vendosur rreth 80 km në veri-lindje të Bejrutit.
"Përshtypja ime e parë ishte bukuria e fshatit", tha Rana Tanissa, një arkeologe libaneze dhe konsulente e turizmit rural që shkruan për udhëtimin në Liban, duke kujtuar vizitën e saj të parë në qytet. "Dhe historia e fshatit është e pabesueshme - njeriu ndjehet sikur po hyn në një libër historie", tha ajo.
Në fakt, sipas UNUTO, angazhimi i Douma për të ruajtur trashëgiminë e saj arkitekturore dhe kulturore dhe "shmangia e zgjerimit kaotik urban" luajti një rol të madh në përzgjedhjen e saj në listën e 2023.

Douma ka mbrojtur edhe aspekte të tjera të trashëgimisë së saj kulturore, siç janë traditat e saj ushqimore lokale. Sipas Tanissa-s, "Ëmbëlsira Raha", e bërë me biskota, është një nga të preferuarat, ashtu si edhe vaji i ullirit, djathrat dhe reçelet. Shumë nga përbërësit vijnë nga fermat dhe vreshtat lokale. Veçantia e Doumas nuk ka të bëjë vetëm me traditën. Fshati ka ndërmarrë gjithashtu një sërë nismash të reja ekologjike, duke përfshirë përdorimin e 600 paneleve diellore për të prodhuar energji elektrike për fshatin dhe mbjelljen e pemëve.
Zapatoca, Kolumbi
Gjashtë vjet më parë, pasi kaloi tre dekada duke punuar si mësues në zona të tjera të Kolumbisë, Guillermo Rincón Velandia vendosi të hapë kompaninë turistike Colombia Trails SAS – dhe ai u kthye në vendin e tij të lindjes, Zapatoca, Kolumbi. Ai rendit disa arsye pse u kthye në vendlindje.
Së pari, është peizazhi natyror. E vendosur në një pllajë midis tre kanioneve rreth 1700 m mbi nivelin e detit, Zapatoca ka një trashëgimi të pasur dhe unike gjeologjike, duke përfshirë disa nga fosilet më të vjetra detare në botë.

Shumëllojshmëria e peizazhit të saj bie gjithashtu në sy, me shpellat e lashta nëntokësore, pyjet tropikale dhe malet për të ecur dhe eksploruar. Klima, megjithatë, është jashtëzakonisht e qëndrueshme: ajo ruan një temperaturë prej rreth 20C gjatë gjithë vitit, duke i bërë vendasit ta quajnë atë "Fshati me klimë të ngjashme".
Trashëgimia kulturore e zonës është gjithashtu e dukshme, me shtëpitë e shekullit të 18-të me çati terrakote, që përziejnë stilet republikane dhe koloniale deri te arkitektura dhe historia fetare (ka numër të madh kishash).
Për adhuruesit e muzikës, vendi ka edhe më shumë për të ofruar. Festivalet me muzikë dhe kërcim zhvillohen gjatë gjithë vitit, duke përfshirë Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit, Festivalin Kombëtar të Vallëzimit "Aires de mi Tierra", Festivalin Ndërkombëtar të Korit Gustavo Gómez Ardila dhe Festivalin Bell./Zëri.ai/