
TIRANË- Skuadra e Klubit të Futbollit Vora bëhet e para skuadër e Kategorisë së Parë, që siguron matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga mjeshtri Arjan Bellai, trajner në Shqipëri dhe Greqi, ish-anësori i kombëtares kuqezi, nuk la asnjë hije dyshimi përgjatë kampionatit në meritën e kësaj ngjitjeje. Vetëm tre humbje pësuan djemtë e Bellajit, 1 herë ndaj Flamurtarit në fazën e parë, 1 herë ndaj Apolonisë së Fierit në javën e njëmbëdhjetë, e herën e tretë e të fundit deri në arritjen e trofeut, mbase edhe për shkak të shpërqëndrimit të të qenit kaq afër ngjitjes thuajse të sigurt, ndaj Pogradecit në javën e shkuar. Të tre humbjet jashtë fushe. Në fushën vendëse Vora e Bellajt arriti 14 fitore dhe 2 barazime duke u falur gëzim të shumëmerituar përkrahësve të vetë. 55 herë shënuan dhe pësuan 22 gola në 31 ndeshje, me një mesatare që dëshmon kujdesin difensiv. Dy javë nga përfundimi i kampionatit, Vora renditet 7 pikë mbi Flamurtarin e Vlorës, që humbi me rivalin direkt Besën e Kavajës në Vlorë dhe shkaktoi edhe trazira.
Arjan Bellaji përgjatë këtij sezoni tregoi kujdes dhe vëmendje ndaj të rinjve: ndaj Lushnjes, në fitoren 4-2, përveçse 3-pikëshit, ai fitoi edhe 90 minutat e para të 19-vjeçarit Agim Xhabafti si qendërmbrojtës. Ndaj Lushnjes, një tjetër i ri 18-vjeçar, por që nuk e kishte debutim, por ndeshjen e tij të njëmbëdhjetë me Vorën e të parën si titullar, ishte mbrojtësi Rajmond Marinaj.
Kollonë e rëndësishme e këtij suksesi ishte përvoja e portierit tanimë veteran, 32-vjeçarit Shkëlzen Ruçi. 15 herë e mbajti portën të paprekur gjatë sezonit ish-portieri i Elbasanit, Bylisit, Luftëtarit, Gjilanit dhe Skënderbeut dhe pësoi 20 gola.
Në mbrojtjen e mirë të skuadrës së Bellajit, një ‘’dorë të fortë’’ e pati edhe dyshja përvojëshumë Dajan Shehi dhe Eni Imami. Dajan Shehi, elbasanasi i ardhur nga Gjilani në fillim të sezonit, luajti 30 ndeshje, shënoi 4 gola me të tijtë, ndërsa Eni Imami 3 ndeshje më pak se sa Shehi. Nga krahët spikati shqiptari i Maqedonisë së Veriut, ish-lojtari i Kombëtares Shpresa, 23-vjeçari Ysni Ismaili. 24 herë luajti në krahun e djathtë për të tijtë, në vitin e dytë me ata. Majtas dallohej i riu Segerso Geci i ardhur nga Korabi.
Mesfusha e Bellajit ishte përplot përvojë dhe alternativa, lojën në mesfushë Vora e ka dominuar ndaj cilitdo kundërshtari: nigeriani 24-vjeçar i afruar në verë, Evans Aneni; mesfushori i parambrojtjes përplot përvoja ndërkombëtare, 29-vjeçari Xhuljo Tabaku; ish-lojtari i Dinamos, Tiranës, Flamurtarit dhe Skënderbeut, 26-vjeçari Jurgen Vrapi; i riu 24-vjeçar, shqiptaro-anglezi i rritur te moshat e Uest Hamit në Londër, Kevin Dalipi, që shënoi golin e dytë ndaj Burrelit, i dhanë një mesfushë solide trajnerit gjirokastrit. 22-vjeçari Kasalla, i cili shënoi edhe ndaj Burrelit në javën e fundit, 28 herë i aktivizuar dhe 6 gola të shënuar, ishte truri dhe shpirti sulmues dhe organizues i kësaj mesfushe.
Sulmi kishte një emër kyç, Mafredas Ruzgis, lituanez. Njeriu që shënoi 44% të golave të skuadrës, 28-vjeçar. Shtatlartë 190cm, i ardhur nga kampionatet inferiore të futbollit gjerman, i solli Vorës dhe trajner Bellajit 24 gola në 28 takime. Përvoja e lojtarëve me shumë bagazh cilësish dhe përvojash në sulm si Griseld Lika, Patrik Bardhi, nigeriani Idris dhanë një dorë të mirë ndihme.
Kjo është hera e parë në historinë e klubit që ngjitet në Kategorinë Superiore, një vit pasi kishte siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë./ZËRI