
PRISHTINË- UEFA ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), por edhe ndaj asaj të Rumanisë. Lajmi është konfirmuar nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA për median e Kosovës. Hetimi i UEFA-s vijen pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës e cila u ndërpre në minutat e fundit.
“Procedurat disiplinore janë iniciuar kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në përputhje me Nenin 55 të Rregullave Disiplinore të UEFA-s (DR), pas ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës e luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, Rumani,”- thuhet në përgjigjen e UEFA-s për Dukagjinin.
Çfarë ndodhi në ndeshjen me Rumaninë?
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha pas ndeshjes se nga tifozët rumunë kishte thirrje "Serbia, Serbia" dhe "Kosova është Serbi". Po ashtu, ai sqaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes "së paku tri herë" para se ekipi të braktiste fushën në minutatat e fundit të kohës shtesë në pjesën e dytë. Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë. Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s./ZËRI