
TIRANË- Pak para ndeshjes me Republikën Çeke, 4 futbollistë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit kanë "varur këpucët në gozhdë" dhe i kanë dhënë lamtumirën kuqezinjve. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka dhënë nga një çmim mirënjohje të katërt futbollistëve, për kontributin e dhënë në Kombëtare.
Për mediat e pranishme, 4 heronjtë e kombëtares shprehën emocionet e tyre për eksperiencën e tyre të gjatë.
Lenjani: 10 vite plot emocione, sakrificë dhe histori me Europianin. Ka qenë një gjë shumë e madhe për mua dhe faleminderit për përkrahjen.
Roshi: Një kënaqësi shumë e madhe. 17 vite kuqezi, e vështirë shumë, sepse emocion si ky nuk përshkruhet dot. Jam krenar për veten. Po e mbyll me nder. Tani u hapet rruga të rinjve, sepse kemi një ekip shumë të mirë.
Balaj: Kombëtarja na ka dhënë shumë. Fanella e kombëtares na ka burrëruar të gjithë. Faleminderit për këtë rrugëtim dhe për tifozët tanë, më të mirët.
Gjasula: Shumë faleminderit! Krenari e madhe! Jam kënaqur shumë që kam qenë pjesë e kombëtares. Faleminderit për këtë mundësi që më keni dhënë.
Bekim Balaj, Odise Roshi, Ermir Lenjani dhe Klaus Gjasula pozuan me Dukën dhe më pas, u përshëndetën për herë të fundit nga fusha e blertë me tifozët e pranishëm në stadium. Kjo ishte paraqitja e fundit për ta në një ndeshje të skuadrës kombëtare, por të 4 vazhdojnë karrierat në klubet respektive./ZËRI