
PEJË- Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është liruar nga paraburgimi ku mbahej në Pejë. Ai u vetëdorëzua të premten më 1 nëntor në mëngjes, teksa ishte i shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj personazhit të "TikTok", Medi Isenit. Stresi qëndroi rreth 48 orë në paraburgim dhe doli sot. Në pamjet e lirimit të tij, duket që Stresi pritet me puthje dhe përqafime nga babai dhe xhaxhai i tij.
“Sapo dola, shihemi…,"- shkroi reperi në postimin e tij.
MOMENTI ME VIDEO:
Stresi akuzohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” pas një sherri që ndodhi me Medi Isenin në një klub nate në Pejë.
Për të njëjtën çështje, vetëm një javë më parë pas 75 ditësh qëndrimi në paraburgim në Shqipëri u lirua Bahtjar Bajraktari (DJCrax). Edhe reperi tjetër, Rigels Rajku, Noizy, qëndroi disa javë në paraburgim në Shqipëri, pasi u vu në pranga, si një prej personave të dyshuar për dhunimin e Medi Isenit, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pejë.
Por çfarë ndodhi në Pejë?
Personazhi i njohur i 'Tik-Tok' Medi Iseni akuzoi se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen./ZËRI