
SHBA- Prada është pranë blerjes së shtëpisë historike të modës Versace, në pronësi të "Capri Holdings", për një shifër që kap vlerën e 1.5 miliardë eurove. Sipas burimeve të 'Bloomberg', negociatat mes dy kompanive po zhvillohen pa probleme, pasi nuk u identifikuan rreziqe të rëndësishme nga auditimi fillestar. Megjithatë, vlerësimi përfundimtar dhe koha e përfundimit mund të ndryshojnë.
Aksionet e Prada reaguan pozitivisht ndaj lajmit, duke u rritur me 3.9% në bursën e Hong Kongut. Nëse marrëveshja përfundon, Prada do të forcojë pozicionin e saj në tregun e luksit, duke krijuar një grup të fuqishëm italian që mund të konkurrojë me gjigantët globalë si LVMH dhe Kering.
Blerja do të ndryshojë një tendencë të gjatë të shtëpive italiane të modës që kalojnë në duar të huaja, siç ndodhi me Gucci dhe Valentino.
Prada ka arritur të ruajë një rritje të fortë, pavarësisht rënies së përgjithshme në industrinë e modës luksoze. Shitjet e kompanisë u rritën vitin e kaluar, kryesisht për shkak të suksesit të markës Miu Miu, e cila tërheq një audiencë më të re. Versace raportoi të ardhura prej 193 milionë dollarësh në tremujorin e tretë të vitit fiskal, me një rënie prej 15% nga viti në vit.
Edhe pse blerja e Versace do të forcojë Pradën, kompania italiane është ende larg konkurrentëve të saj më të mëdhenj në sektorin e luksit.
Tregu i Pradës është 21.8 miliardë dollarë, ndërsa LVMH, e cila zotëron marka të tilla si Louis Vuitton, Christian Dior, Fendi dhe Loro Piana, ka një vlerë tregu prej 347.5 miliardë euro. Aktualisht, Miuccia Prada dhe burri i saj Patrizio Bertelli kontrollojnë afërsisht 80% të aksioneve, duke e mbajtur kompaninë në duart e familjes.
Blerja e Versace nga Prada do të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në industrinë e luksit, duke forcuar konkurrencën me gjigantët ndërkombëtarë në këtë sektor./ZËRI