TIRANË-Zëri, nëpërmjet një qasjeje të veçantë, ekskluzive, sot do t'ia dedikojë lajmet nga sporti finales së Kupës së Republikës, Egnatia-Dinamo, që do të luhet në "Elbasan Arena" në orën 18:00. Duke qenë një sfidë mjaft delikate, me përfitime financiare për fituesit dhe duke qenë njëherësh korsia më e shpejtë dhe më e sigurt për Evropën, FSHF-ja e ka vlerësuar maksimalisht duke ia besuar gjyqtarit me stemë të FIFA-s, Enea Jorgjit.
Ditën e dielë, Jorgji së bashku me Denis Rexhën dhe Ridiger Çokajn do të gjykojnë derbin e madh grek mes AEK dhe Panathinaikos, duel ky që do të luhet në “OPAP Arena” në orën 19:00. Enea Jorgji këtë vit ka patur një ecuri shumë të lëvdueshme në Evropë, duke arbitruar një ndeshje të grupeve të Europa Ligës, Frankfurt-Ferencvarosh, 2 ndeshje të Ligës së Konferencës, 1 eliminatore të Ligës së Evropës, 1 miqësore të kombëtares zvicerane me Luksemburgun dhe ndeshjen Turqi-Islandë për Ligën e Kombeve.
Jorgji ishte arbitri i finales së Superkupës, që Egnatia e humbi me 1-0 me Partizanin 1 vit më parë. Gjithashtu, ai arbitroi finalen e Kupës që Egnatia e fitoi me Tiranën 1-0.
Këtë sezon ai e ka arbitruar 4 herë Egnatian, rrogozhinasit kanë dalë 3 herë të fituar. Në ndeshjet e Egnatias Jorgji ka nxjerrë 22 kartonë të verdhë. Edhe Dinamoja është arbitruar 4 herë nga Jorgji, ku veçohen dy fitoret në kampionat në derbin me Tiranën.
Për koincidencë, në kampionat Enea Jorgji drejtoi edhe përballjen e fundit të Egnatias me Dinamon, në javën e njëzetë e tetë, e fituar 2-0 nga Egnatia./ZËRI