
GJEORGJI- Shqipëria siguroi një fitore të vlefshme kundër Gjeorgjisë në fushën e saj, duke triumfuar 0-1 falë një goli të Kristjan Asllanit në fillim të pjesës së dytë. Pas një pjese të parë ku vendasit dominuan, Shqipëria jo vetëm që zhbllokoi rezultatin me golin e Asllanit, por krijoi edhe disa raste të tjera të rrezikshme, megjithëse Bajrami humbi dy mundësi të mira për të shënuar. Falë kësaj fitoreje, kuqezinjtë mbeten ende në garë për vendin e parë në grup. Pas ndeshjes, lojtarët dhe stafi teknik dhanë deklaratat e tyre për "TV Klan".
Silvinjo: Ndeshja e dytë është më e vështirë, sepse ke pak ditë kohë dhe duhet të udhëtosh. Sot e merituam fitoren. Është një grup i vështirë. Të gjitha skuadrat janë të forta. Ka pikë që mund të humben me secilin ekip dhe kjo ka ndodhur shpesh në këtë grup. Ajeti ka bërë një ndeshje të mirë. Balliu dhe Tuci gjithashtu. E gjithë skuadra ka luajtur mirë. I kemi dhënë Bajramit më shumë komoditet në fushë. Tuci është një lojtar që mund t’i jepte pak freski skuadrës. Kemi bërë një bllok të fortë në mesfushë për t’u rinisur përpara. Ishte një ndeshje e fortë, me shpirt dhe sakrificë. Sanjol është një trajner shumë i mirë. E kam përgëzuar. Edhe ai na përgëzoi ne. Sigurisht që është një ndjenjë krenarie që edhe trajneri kundërshtar po na përgëzon punën. Mendoj që Shqipëria dhe Gjeorgjia po luajnë shumë mirë. Gjeorgjia është një skuadër që ka këmbë dhe mund të bëjë gjithçka. Për ne ishte një ndeshje e bukur, të cilën e merituam.
Duka: Çdo ndeshje e ekipit kombëtar është shumë e rëndësishme dhe sidomos në një kompeticion si ky. Jam i lumtur që lojtarët arritën të fitojnë dhe ta merrnin atë që meritonin. Ata meritonin shumë më shumë se këto 2 humbjet e fundit. Kemi një objektiv shumë të vështirë. Kush mendon se kemi dy ndeshje në shtëpi dhe e kemi të lehtë, e ka shumë gabim. Ndoshta kështu e mendoi edhe Gjeorgjia sot. Ukrainën që kemi ndeshjen e parë në Tiranë është ekipi më me kualitet në grup, pavarësisht se është me 3 pikë. Shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë përpara tifozëve tanë. Nuk më intereson sa ndeshje ka humbur apo ka fituar Gjeorgjia në shtëpi. Më intereson që fituam ne dhe e merituam. Padyshim që nuk mund t’i kemi të gjitha ndeshjet si kjo, pasi përndryshe nuk do të ishim Shqipëria, por do të ishim Spanja. Nuk po them që do të ishim Anglia, sepse edhe ajo humbi me Greqinë. Nëse e mendojmë me gjakftohtësi, Gjeorgjia nuk na rrezikoi në asnjë moment në atë periudhë kur ishim në emocion. I thashë Dakut që duhet ta kishe bërë atë gol dhe të ishim më të qetë. Silvinjo ishte aty dhe më tha që shijon më shumë kështu me emocion.
Shqipëria triumfoi ndaj Gjeorgjisë me rezultatin 1-0. Goli u shënua nga Kristjan Asllani në minutën e 47-të./ ZËRI