
TIRANË- Arilena Ara dhe Pirro Çako, janë tërhequr nga gara e natës së sotme, pikërisht kur është edhe finalja e madhe e “Kënga Magjike”. Dy artistët e kengës “Zero gradë”, ishin të komentuar si pretendentë për çmimin e madh të “Kënga Magjike”. Producenti dhe drejtuesi i festivalit, Ardit Gjebrea ka treguar edhe arsyet e tërheqjes së dyshes.
'E dëgjoni zërin tim? Edhe unë jam ftohur, por të paktën nuk do të këndoj. Për fat të keq, edhe Pirro është paqejf dhe për sa kohë që është në duet, më vjen keq që nuk do të jetë ky duet sonte në festival, por sëmundjes nuk ke ç’i bën”, është shprehur Arditi për Tv Klan duke qartësuar se arsyeja është shëndetësore.
Për shkak se kënga është duet, tërheqja e Pirro Çakos sjell rrjedhimisht edhe atë të Arilena Arës. As Arilena dhe as Pirro nuk kanë bërë asnjë koment publik deri në këto momente. Finalja e “Kënga Magjike” mbahet mbrëmjen e sotme në “Pallatin e Kongreseve”.