
ITALI- Më 15 korrik 1997, industria globale e modës u trondit nga vrasja tragjike e Gianni Versace. Dizajneri 50-vjeçar, një nga krijuesit më ikonëk në kohën e tij, u vra jashtë shtëpisë së tij luksoze në Miami, kur vrasësi serial Andrew Cunanan e qëlloi me gjakftohtësi. Tronditja ishte e madhe, jo vetëm për botën e modës, por edhe për familjen e tij, e cila u përball me humbjen e njeriut që kishte ndërtuar perandorinë "Versace". Vrasësi 27-vjeçar i Gianni-t kishte kryer tashmë 4 vrasje përpara se të ekzekutonte stilistin. Motivi i tij për vrasjen e Versace mbetet i panjohur, pasi nuk u gjet asnjë shënim apo provë tjetër për të shpjeguar aktin e tij. Pasi qëlloi për vdekje stilistin italian, Cunanan u arratis dhe u fsheh për tetë ditë. Më 23 korrik 1997, ai u gjet i vdekur në një varkë në Miami, pasi kishte kryer vetëvrasje me të njëjtën armë që përdori për vrasjet që kreu.
Pas humbjes tragjike, Donatella Versace u detyrua të merrte frenat e shtëpisë së modës, pavarësisht zisë. Deri atëherë, ajo ishte muza dhe krahu i djathtë i vëllait të saj, përgjegjëse për linjën Versus. Pozicioni i saj si drejtore kreative nuk ishte një zgjedhje për të cilën e kishte përgatitur veten, por diçka e imponuar nga rrethanat.
“Humbja e Gianni ishte e pallogaritshme. Ai ishte lideri i padiskutueshëm, gjeniu krijues i shtëpisë. Pesha që më ra mbi supet ishte e madhe,"-tha ajo asokohe.
Më pak se gjashtë muaj pas vdekjes së tij, Donatella prezantoi koleksionin e saj të parë si drejtore artistike në Javën e Modës në Milano. Ankthi i saj ishte i dukshëm.
Megjithatë, reagimi ndaj koleksionit ishte pozitiv.

Pavarësisht vështirësive, Donatella arriti ta mbajë shtëpinë Versace në krye. Me kalimin e viteve, ajo evoluoi stilin, duke shtuar gjurmët e saj, por edhe duke respektuar estetikën e vëllait të saj. Në vitin 2018, familja Versace mori një vendim të madh: pjesa më e madhe e aksioneve iu shit grupit amerikan Capri Holdings për 1.83 miliardë euro. Edhe pse Donatella mbeti si drejtore artistike, kjo lëvizje shënoi fillimin e një epoke të re.
Dhe tani, pas 27 vitesh në drejtimin krijues, Donatella vendos të largohet. Më 13 mars 2025, shtëpia Versace njoftoi se Dario Vitale do të ishte drejtori i ri artistik, i pari që nuk i përket familjes Versace.
Por kush është Dario Vitale që zë vendin e Donatellës?

Megjithatë Donatella nuk po largohet plotësisht, pasi do të ketë rolin e ambasadores së brendit.
“Jam i emocionuar që Dario Vitale do t'i bashkohet ekipit tonë dhe mezi pres ta shoh Versace-n me sy të rinj. Dua të falënderoj ekipin e jashtëzakonshëm të stilistëve dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Versace me të cilët kam pasur nderin të punoj për më shumë se tre dekada. Ishte nderi më i madh i jetës sime të vazhdoja trashëgiminë e vëllait tim Gianni. Ai ishte gjeniu i vërtetë, por shpresoj të kem pasur pak nga shpirti dhe vullneti i tij. Në rolin tim të ri si ambasadore kryesor e markës, do të mbetem fansja më e pasionuar e Versace-s. Versace është në ADN-në time dhe gjithmonë në zemrën time."
41-vjeçari Dario Vitale konsiderohet si një nga dizajnerët më inovativë të Milanos. Ai ka punuar në shtëpitë kryesore si Dsquared2, Bottega Veneta dhe Miu Miu.
“Është një nder i madh për mua që t'i bashkohem Versace-s si shef kreativ dhe të jem pjesë e kësaj shtëpie luksoze të veçantë dhe të fuqishme të krijuar nga Gianni dhe Donatella. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Donatellën për besimin që tregon tek unë dhe për përkushtimin e saj të palodhur ndaj markës së jashtëzakonshme që është sot Versace. Është një privilegj të kontribuoj në zhvillimin e së ardhmes së Versace dhe ndikimin e saj global përmes vizionit, përvojës dhe përkushtimit tim."
Kush është Donatella Versace?
Donatella Versace ka lindur më 2 maj 1955, në Itali. Nëna e saj, Françeska, ishte rrobaqepëse dhe babai i saj, Antonio, punonte si shitës. Ajo u rrit me dy vëllezërit e motrën e saj më të mëdhenj: Gianni, Santo dhe Tina, kjo e fundit ndërroi jetë në moshën 12-vjeçare për shkak të një infeksioni. Gjatë rinisë së saj, Donatella studioi gjuhë të huaja, ndërsa ndihmonte vëllain e saj Gianni me biznesin e tij të modës. Me kalimin e kohës, Donatella u përfshi në mënyrë aktive në biznesin familjar dhe u emërua nënkryetare e kompanisë. Pas vdekjes tragjike të Gianni në 1997, ajo mori kontrollin e perandorisë Versace. Në vitin 1983, Donatella u martua me Paul Beck, me të cilin pati dy fëmijë: Allegra Versace, e lindur në vitin 1986 dhe Daniel, i lindur në vitin 1989. Çifti u divorcua në vitin 2000. Më vonë, në vitin 2004, Donatella u martua me Manuel Dallorin, por kjo martesë zgjati vetëm një vit.
Largimi i Donatellës nga drejtimi i shtëpisë shënon fundin e një epoke për Versace. Me thashethemet e vazhdueshme për një shitje të mundshme të markës, por edhe pasigurinë që sjell çdo ndryshim i madh, mbetet për t'u parë nëse Dario Vitale do të arrijë të ruajë shkëlqimin e shtëpisë apo Versace do të ndjekë një rrugë krejtësisht të re në botën e modës./ZËRI