
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar këtë të shtunë numrin e fletëve të votimit që do të prodhohen për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit në bashkinë e Himarës. Sipas KQZ, qytetarë ne të drejtë vote në bashkinë e Himarës janë 23 mijë e 74, kështu që fletë votimi do të jenë 2% më shumë sesa numri i zgjedhësve. Në total do të ketë 36 qendra votimi. Ndërkohë votat do të numërohen në sallën e Këshillit Bashkiak.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten e 12 Korrikut që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Pas negociatave mes PBDNJ dhe Partisë Demokratike është rënë dakord që opozita të garojë për Bashkinë Himarë me emrin e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Petro Gjikuria. Ndërsa PS do të garojë me ish-Prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo./ZËRI