Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ Votat e Diasporës do të numërohen në Parkun Olimpik të Tiranës, “Feti Borova”

Ndërkohë në fillim të muajit prill do të nisë të dërgohen zarfet e votimit për diasporën shqiptare.

F.I
Zgjedhjet e 11 majit/ Votat e Diasporës do të numërohen në
Parku Olimpik i Tiranës 'Feti Borova'

TIRANË-Votat e Diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit do të numërohen në Parkun Olimpik të Tiranës “Feti Borova”. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Parku Olimpik i Tiranës përmbush kushtet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin përkatës të Komisionit Rregullator, pasi është një objekt me sipërfaqe të madhe, me një kapacitet deri në 1200 persona, me ambient të posaçëm për administrimin, ruajtjen, numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë.

“Kemi qenë në komunikim me autoritete të qeverisjes vendore, kemi mundur të sigurojmë një ambient ku do të kryhen tre procese, edhe përgatitja e materialit zgjedhor, edhe ruajtja e dokumentacionit, por edhe numërimi dhe vlerësimi i votave. Kemi marrë konfirmimin që do ta kemi këtë ambient në përdorim të KQZ-së për një periudhë 1 muaj e 20 ditë dhe që është Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova”. Është një ambient me hapësirë të mjaftueshme për të numëruar të 12 qarqet, ka aksesueshmëri, është një ndërtesë publike, nuk do të kemi kosto të tjera, përveç organizmit logjistik brenda”, u shpreh drejtoresha e Votës nga Jashtë pranë KQZ-së, Jona Josifiosifi.

Ndërkohë në fillim të muajit prill do të nisë të dërgohen zarfet e votimit për diasporën shqiptare. KQZ lajmëroi se ndarja do bëhet përmes një poste të shpejtë që gjurmon vendndodhjen e zarfit. Komisioni informoi emigrantët shqiptarë se nuk duhet të bëjnë asnjë shënim mbi sipërfaqen e zarfit, por vetëm të hedhin votën e tyre. 

Gjithashtu në zarfet e dërguara nuk duhet të futet asnjë dokument tjetër, përveç fletës së votimit dhe zarfi të mbështillet sipas shpjegimeve të dhëna. Emigrantët shqiptarë nuk do të paguajnë për këtë proces, pasi çdo shpenzim për dërgimin dhe marrjen e fletës është mbuluar nga KQZ.

Mbi 231 mijë emigrantë u regjistruan për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kërkesat më të mëdha për regjistrim ishin nga Italia 40.6%, Greqia 28.3%, Gjermania 10% dhe SHBA 6.6%./ZËRI

Poll

MOS HUMB