
TIRANË-Teksa zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afrojnë, partitë politike nuk mbeten pas me parafushatën elektorale dhe krijimin e aleancave. I mbetur jashë partive politike, Lulzim Basha është drejt një marrëveshjeje me aleatin e tij të dikurshëm Dashamir Shehi, i distancuar së fundmi nga Sali Berisha.
Ishte kreu i LZHK-së, deputeti Dashamir Shehi, që konfirmoi sot për mediat edhe negociatat që po mbahen mes dy partive të vogla opozitare dhe grupimit të Bashës, pas marrëveshjes së dy partive të mëdha PD-PS për Kodin Zgjedhor dhe listat e hapura, që i la të parët në rrezikun elektoral. Gjithashtu shpjegon se janë në negociata edhe me “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt dhe të tjerëve.
'Jemi në komunikim dhe bisedime me grupin Basha. Jemi në negociata me 3-4 grupe që janë brenda Parlamentit, me të gjitha, kemi rënë dakort për listat e hapura. Të gjithëve u bëjmë thirrje hajde ta bëjmë bashkë, shtëpia është e përbashkët, lista është e përbashkët, e mbyll populli këtë dava me numër votash. Si veteran e bëj këtë thirrje, të reflektojnë, se ky është shans i madh i opozitës. Ndryshe të shkojnë te grupimi Berisha-Meta”, tha Shehi.
Pakti për koalicionin e ri të djathtë që është në horizont parashikon garim vetëm në listën e hapur. Shehi ndër të tjera i bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen, ndërsa nga ana tjetër kritikoi mos-dakordësinë për shtrirjen e votimit elektronik./ZËRI