TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje debatin për nismën “Ballkani i Hapur”, duke theskuar se nisma u konsiderua si “një ide e tmerrshme” vetëm për një arsye, sepse pas saj qëndronin ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një intervistë për median serbe “Euronews Serbia”, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se fakti që ai dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishin në krye të kësaj nisme ndikoi në mënyrën se si ajo u perceptua në rajon. Sipas Ramës, nëse nisma do të ishte prezantuar nga figura të tjera politike, perceptimi për të do të kishte qenë ndryshe.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye, se unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, tha Rama.
Teksa komentoi bashkëpunimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Rama theksoi se ai është gjithmonë një partner i vështirë.
Në intervistën për median serbe, kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu transformimin e Malit të Zi dhe progresin në rrugën e integrimit.
“Merita është e denjë. Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelën; e respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, shtoi Kryeministri.
Në intervistën, që pritet të transmetohet e plotë mbrëmjen e të martës, kryeministri Edi Rama është shprehur se Evropa sot ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën.
"Mendoj se sot Evropa ka nevojë për ne aq sa ne kemi nevojë për Evropën", përfundoi Rama.
Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina./ZËRI