
TIRANË- Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dalë në një prononcim për mediat fill sapo ka dalë nga ambientet e burgut të Peqinit. Para kamerave, ministri ka kërkuar nga gazetarët që mos t’i bëjnë pyetje për dinamikën e ngjarjes apo sesi u fut arma e zjarrit në burgun e Peqinit, pasi më shumë detaje lidhur me ngjarjen do të japin hetuesit. Megjithatë dha një mesazh për të gjithë familjarët e të dënuarve, duke i garantuar se situata dhe rendi jo vetëm në Peqin, por në të gjitha burgjet e vendit, është nën kontroll.
"Nuk do të bëj një dinamikë të ngjarjes, do të bëj një deklaratë të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Dua të ngushëlloj familjarët e të dënuarit që kanë humbur jetën. Situata e rendit është nën kontroll. Autori është dorëzuar dhe është vendosur në dispozicion të prokurorit. Në asnjë moment nuk është cënuar jeta e gardianëve. Unë jam ministër i Drejtësisë dhe nuk jam prokurori. Janë çështje që i përkasin hetimit. Nuk dua ta cënoj hetimin do të ketë një komunikim për opinionin publik. Sokol Mjaçaj ka qenë duke vuajtur dënimin në Peqin. Kemi dhe regjim të posaçëm. Pasi del urdhëri i ministrit. Ka një procedurë për vendosjen e një personi në regjimin e posaçëm. Edhe mënyra e komunikimit ka një procedurë. Kjo është ajo që kam për të komunikuar me ju. Të gjitha detajet...mos më bëni pyetje që cënojnë hetimet. Unë jam këtu sonte dhe do të jem edhe në ditët në vazhdim për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe administrative, përgjegjësitë e tjera i takojnë organeve. Po është e vërtetë që i kam kaluar burgjet e tjera në sigurinë e lartë. Ndoshta kjo ngjarje e rriti nivelin e gatishmërisë sepse është praktikë që bëhet në prag të festave. Dua ta them qartë, të gjithë familjarët e të dënuarve të qetësohen sepse është ngjarje e rëndë. Situata e rendit është nën kontroll. Sa i takon regjimit të 41biz, kam filluar që pardje, do të ketë të tjerë që do i bashkohen këtij regjimi,"- tha Ulsi Manja.