VLORE- Thellohet skandali me përdhunimin e 26-vjeçares në Vlorë. Vajza e përdhunuar ka folur sot në emisionin "Me Zemër të Hapur", ku ka konfirmuar se me të është abuzuar seksualisht. Vajza 26-vjeçare tregoi se është kërcënuar nga familja e Albi Cenos, njërit prej djemve të arrestuar. Viktima tregoi se e ëma i ka kërkuar të ndryshojë dëshminë dhe të shfajësojë të birin, në të kundërt do të përballet me rrezikun që i kanoset nga shokët e tij që janë jashtë burgut.
"Mamaja e Albi Cenos më erdhi në spital dhe më tha që djali im do të dalë nga burgu, se ai ka shoqëri, ose duhet të tërheqësh dëshminë, ose do e paguash me jetën tënde. Më tha që kisha bërë një krim të rëndë, se ai kishte një fëmijë 7-muajsh në shtëpi. Denoncimi nuk është tërhequr, vetëm nëse e kanë ndryshuar pa dijeninë time."-tregon vajza.
Dëshmia e 26-vjeçares i jep njëherë e mirë fund diskutimeve se a pati abuzim seksual me të, mbrëmjen e të shtunës në bar-hotel-restorantin në Vlorë. Zëri.ai e investigoi që prej të hënës ngjarjen duke detyruar institucionet të bëjnë drejtësi. Albi Ceno dhe Oltjano Tahiri janë pas hekurave, ndërsa në kërkim është Gentjano Mehmeti. Një person i katërt V.K., akuzohet se është përfshirë në ngjarje duke ofruar drogën për grupin. Tre të rinjtë e droguan të renë dhe më pas abuzuan seksualisht me të./Zëri.ai