
TIRANË- Armela Krasniqi, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive ka dënuar sulmin ndaj gazetares Afrovita Hysajt nga media televizive "6+1 Vlora". Në një reagim të shkurtër, Krasniqi tha se e konsideron të papranueshme gjuhën e përdorur ndaj gazetares. Ndërsa shton se për dënimin e rasteve të tilla ka një vakum ligjor, megjithatë nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër për ndonjë ndëshkim që mund të marrë nga AMA televizioni që sulmoi gazetaren.
"Ky rast - për fat të keq, jo i vetmi - nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla. Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues. Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e AMA-s.
Reagimi i AMA:
Konsideroj të papranueshme gjuhën e përdorur nga portali 6plus1vlora.al, ndaj gazetares Afrovita Hysaj. Dënoj me forcë çdo lloj komunikimi si ky, në të cilin një grua, një gazetare profesioniste, sulmohet duke përdorur fjalor denigrues, gjuhë seksiste, diskriminuese dhe banale. Për pikënisjen që solli këtë devijim komunikimi, sigurisht që do të vendosin organet kompetente. Çfarë unë mund të them me bindje është, se ky është një rast flagrant i lincimit të një gazetareje, i dënueshëm, që shkel mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e fjalës dhe çdo kod etike profesionale.
Ky rast - për fat të keq, jo i vetmi - nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla. Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues. Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla.