
LEZHË- Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e sotme në gjimnazin “Hydajet Lezhë” në Lezhë, pasi një nxënës i vitit të dytë goditi një mësuese me karrige brenda shkollës. Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, ku mësuesja e matematikës Majlinda Palushi, mori lëndime në krahë dhe për pasojë u dërgua për mjekim në spitalin e Lezhës dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas sinjalizimit të rastit në shkollë, mbërritën forcat e policisë të cilët identifikuan dhe shoqëruan në komisariat nxënësin që goditi mësuesen, të cilit më pas iu komunikua dhe arresti si dhe akuzat në prani të familjarëve të tij, por edhe psikologut.
Njoftimi i policisë mbi arrestimin: Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:
Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Çfarë e nxiti konfliktin
Dyshohet se shkak për situatën e rëndë është bërë fakti se mësuesja e kishte paralajmëruar nxënësin se do ta ngelte në klasë, për shkak të mungesave të shumta që ai kishte bërë gjatë orëve të mësimit.
Mësuesja është betuar për të atin e saj, njësoj si dhe gjimnazisti, në një kohë që asnjëri prej prindërve të tyre nuk jetonte më. Kjo situatë e ndjeshme duket se ka nxitur edhe reagimin e dhunshëm të gjimnazitit.
“Betohem për kockat e babait tim që më ka vdekur dhe babait tënd që është aty tek i imi që do të të ngel”, mësohet se është shprehur mësuesja, gjë që më pas ka nxitur edhe reagimin e rëndë të nxënësit, që e ka goditur me karrige.
Bojkotohet mësimi nga kolegët e Palushit
Mësimi më pas gjatë ditës së sotme është bojkotuar, ndërsa mësohet se Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar do të ndjekë rregulloren për rastin në fjalë duke ngritur një komision i cili do të marrë edhe masat e nevojshme. Kolegët e Palushit kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste gjatë ditës së nesërme.
/Zëri.ai