
TIRANË- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zgjedhur që të "bojkotojë" mbledhjen e Samitit për Procesin e Berlinit që është mbledhur për herë të parë në Tiranë. Ndaj dhe Serbia u përfaqësua nga kryeministrja serbe Ana Brnabiç. Që në zbritjen e saj nga mjeti, ajo është shfaqur e vrenjtur në fytyrë, madje për asnjë sekondë nuk ka buzëqeshur. Megjithatë duket se qëndrimin e ka vazhduar, duke mos marrë pjesë në foton familjare, mes liderëve të vendeve të Bashkimit Europian, e atyre të Ballkanit Perëndimor. Shpjegimin zyrtar për mungesën e saj në foto, nuk e ka dhënë ende.
Por deri më tani mendohet se ka ndodhur për shkak të flamurit të Kosovës. Për të njëjtën arsye, rreth dy javë më parë edhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiç nuk mori pjesë në foton familjare në ministerialin e Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Kështu që mund të jetë një nismë e ndërmarrë nga Serbia për të bojkotuar çdo takim ky shfaqet edhe Kosova.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni i qeverisë së tij kanë zgjedhur që të "braktisin" Ballkanin dhe BE-në, duke udhëtuar drejt Kinës. Vuçiç do të marrë pjesë në Forumin e tretë “Brez dhe Rrugë” në datat 17-18 tetor, ku paralajmëroi takime të ndryshme dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën.
“Unë pres nënshkrimin e shumë marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjen e tregtisë së lirë. Ajo marrëveshje do të thotë shumë për fermerët, si dhe për industrinë e verës,”-ka thënë ai. Ndërsa i pyetur më herët nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ai tha se nuk janë lanifikuar bisedime dypalëshe, por sigurisht që do ta takojë atë, si shumë liderë të tjerë.
Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me Shi Xhinping në Kinë këtë javë, duke shënuar udhëtimin e tij të parë jashtë Rusisë dhe rajoneve që kontrollohen nga Moska zyrtare./Zëri.ai