
TIRANË- Prej disa ditësh situata me mbetjet në Tiranë ka qenë në kushtet e emergjencës, ndërsa në shumë zonë të kryeqytetit koshat nuk pastrohen, duke sjellë tejmbushjen e tyre, dhe hedhjen e plehrave dhe në rrugë. Pas një serie denoncimesh të qytetarëve, dhe një pjese të mediave, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka pranuar për herë të parë publikisht, se në disa zona ka pasur probleme me mbledhjen e plehrave, për shkak se kompanitë private që operonin, janë tërhequr nga dhënia e shërbimit.
Kjo për shkak se sipas Veliajt, grumbullimi i plehrave në të gjithë kryeqytetin do t’i kalojë kompanisë ‘Eco Tirana’, dhe kjo ka bërë që kompanitë private të tërhiqen parakohe nga dhënia e shërbimit. Gjatë një takimi me punonjësit e pastrimit, Veliaj akuzoi kompanitë private se po bënin presion ndaj Bashkisë, por që një gjë e tillë nuk funksionon, dhe se në terren këtë katastrofë do të mundohen ta zgjidhin me dy makina që ka Eco Tirana në dispozicion, nga 20 që duhet të ketë në total. Kjo sipas Veliajt, deri në përmbushjen e të gjithë flotës, do të sjellë një emergjencë në disa zona, kryesisht në periferi të kryeqytetit.
“Meqë ata duan ta zgjidhin me presion, ne do ta marrim që tani në administrim zonën te lagjja ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, po ashtu edhe zonën e ‘5 Majit’ te Bregu i Lumit, dy muaj para mbarimit të kontratës së shërbimit. Kemi dy makina industriale, por presim edhe 18 të tjera. Kjo do të thotë se në dy muajt e ardhshëm do duhet që të operojmë me një sens emergjence në këto zona. Do duhet të bëjmë disa punë në avancë, përpara se të vijnë të gjitha mjetet dhe pajisjet teknike”, deklaroi Veliaj, ndërsa tha se për punonjësit e pastrimit do të ketë rritje pagash dhe shpërblime.
“Do të vazhdoj të përpiqem që, pasi të kalojmë këtë emergjencë, të vazhdojmë me rritjen e rrogave, të vazhdojmë me shpërblimet për Vitin e Ri, për të gjithë punonjësit e Eco Tiranës, të cilët bëjnë punën më të vështirë. Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve në këtë situatë kritike që po kalojmë, por unë jam i bindur se siç kemi menaxhuar çdo krizë, do e menaxhojmë edhe këtë me shumë sukses”.
Sipas kryebashkiakut, pjesë e procesit për administrimin e shërbimit të pastrimit do të bëhen edhe administratorët e njësive administrative. Nga ana tjetër, edhe pse situata me mbetjet është denoncuar kryesisht nga vetë qytetarët, Veliaj nuk i kurseu akuzat për kundërshtarët politikë.
“Mjafton të shikoni oborrin e partisë së tyre, edhe plehrat e tyre nuk i hedhin në kosh, por vijnë t’i hedhin te bashkia. E vetmja shpresë, ajo që Tirana na e dha me 60 mijë vota diferencë, është kjo skuadër, është ky ekip, janë këta njerëz të mrekullueshëm”, deklaroi Veliaj.
Eco Tirana është një shoqëri aksionere, ku Bashkia ka 51% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga AGSM AIM. Kjo SHA ka për administrator shtetasit: Renato Guarnieri; Frederico Berto; Andrea Benati; Anjeza Çallpani; Diego Testi; Mirco Caliari. /ZËRI