
TIRANË- Andja Ulliri, një nga deputetet më të heshtura që ka njohur Kuvendi i Shqipërisë, sot ka gjetur "zërin" e saj. Në një fjalë që pretendoi se kishte që në mëngjes që e kërkonte, mbajti një fjalim në Foltoren e Kuvendit. Fillimisht foli për rastin e 6 familjeve që kërcënuan dje me vetëflijim për të mbyllur fjalën e saj me qëndrimin kundër për projektligjin për pronat shtetërore, të cilin mesa duket nuk do ta votojë.
"6 familje dje në Thumanë kërcënuan me vetëflijim. Teksa po përpiqesha të flisja për këto pamje, këto janë pamjet e politikave tuaja. Ndoshta dikush duhet që t'i sjellë në vëmendje. Ndjehem e ofenduar. Po i hiqni zërin edhe parlamentarëve tuaj. Disa nga ne kanë ardhur me kokën lart, dua të di kush të ma hiqni fjalën. Problemi i qytetarëve me pronat ishin ajo pamje që patë dje. Ku ishit ju dje? Ende sot nuk ka një përgjigje për këtë hall të qytetarëve. Për ju prona është një pikë në hartë. Këtu ndahemi ne, ku flasim për pronat e qytetarëve dhe pronave shtetërore. Ne diskutojmë për interesat e qytetarëve dhe ju mbroni disa persona. Mendoni se jeni të paprekshëm,"-tha ajo duke shtjelluar edhe më tej çështjen.
Përgjigje nuk mori nga askush pasi pas saj zv.kryeministrja Belinda Balluku foli për diskutimin e bërë në Kuvend për takimin me diasporën, duke u tërhequr vëmendjen kolegëve për gjuhën e përdorur. Por në asnjë moment nuk i ktheu përgjigje deputetës së opozitës.
"Është për të ardhur keq tek dëgjojmë edhe kolege, zonja deputete, të cilat përdorin shprehje të rënda, të pajustifikuara. Kuptojmë nganjëherë në gjaknxhehtësi e sipër që i drejtohemi njëri-tjetrit me shprehje të rënda. Për të bësh një fjalim dhe fjalimi të përfshijë brenda, fjalë palaçollëqe, hajdutllëqe është pak e çuditrshme se është si ato vrasjet me paramendim kur uleni në darkë në komjuter dhe i shkruani këto fjalë. Nuk e di çfarë i transmetojmë fëmijëve, se shumica prej këtu janë dhe nëna."
Megjithatë edhe pse nuk e përmendi, Andja më në fund gjeti zërin e saj, duke u ngjitur deri në zonën ku qëndrojnë ministrat për të vazhduar një debat që as nuk u dëgjua edhe njëherë që deputetja foli. Më pas, e nervozuar doli fare nga salla...me çantën e saj në krah./ZËRI