
TURQI-Plani i njoftuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryegjyshi botëror bektashian, Edmond Brahimaj në mediat amerikane, për krijimin e "Shtetit Bektashi" brenda Tiranës, ka bërë që edhe Turqia të reagojë.
Mediat turke e kanë lidhur planin me vizitën e presidentit izraelit në Tiranë, duke hedhur dyshimet se Isack Herzog qëndron pas projektit. Sipas gazetës Sabah gjatë vizitës së tij të parë dhe historike në Tiranë, pak ditë më parë, presidenti izraelit Isaac Herzog është takuar veçanërisht dhe me Baba Mondin. Gazetari turk Melih Altınok shkruan se "djali i George Soros ka aktivitete intensive në Shqipëri nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur. Vizita e fundit e Presidentit izraelit në Shqipëri nuk duhet anashkaluar."
Reagimi i përfaqësuesve të bektashinjve në Turqi
Nga ana tjetër përfaqësuesit e organizatave bektashiane në Turqi, në deklaratat e tyre të publikuara në 'Haber Global' thonë se bektashizmi dhe “shteti fetar” janë koncepte të papajtueshme me njëri-tjetrin.
Presidenti i Federatës 'Alevit' të Turqisë, Zeynel Abedin Koç: Si alevi që jetojmë në Turqi, ne mbajmë qëndrimin tonë në favor të laicizmit. Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë nga Turqia. Megjithatë, në Shqipëri jetojnë edhe rreth 115 mijë bektashinj. Dhe kjo përfaqëson 5% të popullsisë së Shqipërisë. Nuk e kuptoj fare pse ka nevojë për një gjendje të tillë. Bektashizmi i Turqisë është pjesë e tij apo është çështje shqiptare? Ne në asnjë mënyrë nuk e miratojmë një shtet të bazuar në besim.
Në kundërshtim me Abedin Koçin, ish-kryetari i Federatës 'Alevi Bektashiane' dhe shkrimtari Ali Bakiz beson se besimi bektashi nuk mund të krijojë një shtet fetar.
"Rruga e bektashinjve ka jetuar në këto troje prej shekujsh. Më vonë, me Perandorinë Osmane, u përhap në Ballkan, duke arritur deri në Hungari dhe Shqipëria është vendi më i rëndësishëm mes tyre. Filozofia bektashiane i konsideron 72 kombet si një, këshillon që të gjithë të jenë sovran në veprimet e tyre. Një shtet fetar nuk është i drejtë. Çdo shtet ka pushtet, ndërsa në besimin bektashi ka liri”, tha Ali Bakiz.
Ndërkohë presidenti aktual i Federatës 'Alevi Bektashi' në Turqi, Husein Güzelgül, i konsideron hapat e ndryshëm të ndërmarrë nga shtetet për të njohur besimin bektashi në mbarë botën në përgjithësi pozitive. Ai gjithashtu mbështet pikëpamjen se besimi i bektashinjve dhe shteti fetar nuk mund të shkojnë paralelisht.
“Ne nuk e konsiderojmë të drejtë një shtet të bazuar në fe. Nuk mund të ketë një gjë të tillë ku ka tolerancë, paqe dhe dashuri”, theksoi Güzelgül.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' thotë se dëshiron t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik./ZËRI