
TIRANË- Pasi u votuan në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, pasditen e djeshme, ministrat e rinj të qeverisë, do të betohen sot në orën 10:00 në Presidencë.
Dy ditë pas propozimeve të kryeministrit Rama nga Kongresi i Partisë Socialiste për të ndryshuar kabinetin qeveritar, Presidenti Bajram Begaj dekretoi emrat e rinj të ekzekutivit.
Pas verifikimit, kreu i shtetit ndezi dritën jeshile për shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm dhe dekretoi emërimin në këtë detyrë të Ervin Hoxhës. Ky i fundit mbante postin e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtes së Territorit, ndërsa më herët ka qenë drejtor i Shërbimit të Provës.
Presidenti Begaj i dha fuqi ligjore shkarkimit të Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe dekretoi në vend të tij Pirro Vëngun, i cili mbante detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, i cili ka shërbyer gjithashtu edhe si shef i kabinetit të kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, kreu i shtetit ka dekretuar edhe shkarkimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe emërimin e Petrit Malajt në këtë pozicion. Deri tani, Malaj ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi edhe shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Parlamentin dhe emërimin e Ballës në këtë post. Pas dekretimeve nga ana e kreut të shtetit, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe miratoi ndryshimet e reja në qeveri, ndërkohë që nuk munguan tensionet, me opozitën që kontestoi emrat e rinj, dhe kërkoi debat për ministrat e zgjedhur.
Në Kuvend u miratua:
Niko Peleshi shkarkohet nga posti i Ministrit të Mbrojtjes - 78 pro, 2 abstenim asnjë kundër
Taulant Balla shkarkohet nga posti i Ministrit të Brendshëm - 84 vota pro, 2 kundër asnjë abstenim
Petrit Malaj emërohet Ministër i Financave - 77 pro, 2 abstenim. 14 kundër - Zëvendëson Ervin Mete
Pirro Vengu- Emërohet Ministër i Mbrojtjes - 77 vota pro, 2 abstenim, 13 kundër - Zëvendëson Niko Peleshin
Ervin Hoxha - Emërohet Ministër i Brendshëm - 76 vota pro, 2 abstenim, 11 kundër - Zëvendëson Taulant Ballën
Taulant Balla - Emërohet Ministër Shteti për Parlamentin - 78 vota pro, 9 kundër, asnjë abstenim - Zëvendëson Elisa Spiropalin
Bledi Çuçi - Zgjidhet nënkryetar i kuvendit, 77 vota pro, 9 kundër, 1 abstenim - Zëvendëson Ermonela Felaj.
/ZËRI