Politikë

U la në burg/ Beleri: Krim që kam bërë është se dola kundër planeve të Ramës

Në një deklaratë për media ai akuzoi kryeministrin Rama dhe u bëri apel sërish SHBA e BE-së për drejtësinë, ndërsa shprehu bindjen se do të gjejë drejtësinë duke i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. 

a.l
U la në burg/ Beleri: Krim që kam bërë është se
Fredi Beleri

TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për ta dënuar me 2 vite burg. Në një deklaratë për media ai akuzoi kryeministrin Rama dhe u bëri apel sërish SHBA e BE-së për drejtësinë, ndërsa shprehu bindjen se do të gjejë drejtësinë duke i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. 

"Seanca e sotme ishte një parodi. Me dëshmi penaliteti të falsifikuar, pa prova, pa asnjë dëshmitar tjetër veç atij të paguar nga policia, me gjyqtare “të emëruar”, brenda një kafazi prej xhami, duke mos patur mundësinë e komunikimit me avokatin, sot, gjykata shqiptare më dënoi me dy vite burgim. Krimi që kam kryer është se ne, himariotët, kërkojmë të jemi zotër të tokave tona stërgjyshore. Krimi i kryer nga unë është se bashkëqytetarët e mi himariotë më zgjodhën kryetar bashkie, duke dalë kundër planeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. SHBA dhe BE, kjo është drejtësia që ju dëshironi për ne? Gjyqtarëve po u lë komentet e popullit shqiptar. Unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për Drejtësi dhe Demokraci, në emër të bashkëqytetarëve të mi. Herët a vonë, unë do ta gjej drejtësinë. Kam aq durim sa duhet për ta çuar deri në fund këtë çështje. Kryetari i Zgjedhur i Bashkisë Himarë. Dhionisios Alfred Beleri", shkruan ai.

Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë sot me dy vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli./ZËRI

Poll

MOS HUMB