
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dënuar me 2 vite burg Kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerin. Në fjalën e tij, sërish nga dritarja e banesës së tij, Berisha tha se i gjithë procesi ishte një farsë, ndërsa shtoi se e dënon vendimin e gjyqtarëve.
"Dënoj qëndrimin e Edi Ramës, që i mbyll dyert e integrimit Shqipërisë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij. Vetëm e vetëm për ambiciet e tij mafioze. Pse kjo shkelje flagrante e Kushtetutës, e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut? Pse ky përkeqësim i madh i marrëdhënieve me shtetin fqinj. Të gjitha këto kanë vetëm një shkak; interesat mafioze të klaneve të tyre të drogës në brigjet e Himarës,"-tha Berisha.
NJOFTIM PËR SHTYP
Mirëmbrëma dhe përshëndetje më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën tuaj të pamposhtur, misionin tuaj shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Miqtë e mi! Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën. Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë. Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit. Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj. Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve. Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushetit të krimit. Çështja Bejleri nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Është një çështje para së gjithash e të drejtave dhe lirive universale të qytetarëve të lirë të një vendi. Nëse një njeri, një i zgjedhur arrestohet mbi bazën e një kurthi të poshtër, të ulët dhe mbahet 1 vit, nuk lejohet të bëjë betimin në kundërshtim me parimin universal të prezumimit të pafajësisë, nuk lejohet të takojë ata që e votuan, në kundërshtim me praktikat e mëparshme, kjo është dëshmi flagrante se këtu është vendosur një regjim që nuk njeh votë dhe as parim, nuk njeh votë as zgjedhje. Dënoj me forcën më të madhe vendimin e gjykatëses me tre mbiemra, vegël e verbër e Edi Ramës. Dënoj qëndrimin e Edi Ramës, që i mbyll dyert e integrimit Shqipërisë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij. Vetëm e vetëm për ambiciet e tij mafioze. Pse kjo shkelje flagrante e Kushtetutës, e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut? Pse ky përkeqësim i madh i marrëdhënieve me shtetin fqinj. Të gjitha këto kanë vetëm një shkak; interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës. Interesat mafioze të klaneve të tyre të drogës në brigjet e Himarës.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës./ZËRI