
TIRANË- Me molotovë dhe përplasje është zhvilluar edhe protesta e sotme e opozitës para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj. Me pankarta në duar dhe thirrje “Hajdut”, “Erion Veliaj, në burg”, “Erion shko te shokët”, qytetarët rrethuan për disa orë godinën e Tiranës. Në protestën e tij të nëntë, Belind Këlliçi i bëri thirrje kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumanit, të veprojë ndaj Veliajt.
“Ne kemi ardhur sërish këtu para kësaj godine që është skena e krimit më e madh në Shqipëri dhe strehon një kryetar bashkie që çdo ditë që shkon në atë zyrë, shkon për të vjedhur së bashku me bandën 5D. Ju kishim dhënë fjalën, që pas vjedhjes së paprecedentë të 14 majit, do të bënim transparencë të plotë për masakrën në tiranë. Vetëm muajt e fundit kemi zbardhur një skemë vjedhjeje të paimagjinueshme. Kemi faktuar sesi janë paguar 132 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston. Kjo është një vjedhje e paprecedentë, e padëgjuar dhe e pahasur kurrë më parë. Policë bashkiakë a e dini që drejtori juaj është biznesmen dhe jo shërbëtor i qytetarëve të Tiranës. A e dini që Ermal Kapllanaj është një hajdut, a e dini që në këtë godinë strehohen hajdutë që vjedhin taksat. Ndaj bashkohuni se bëjmë thirrje rreshtohuni krah qytetarëve, po e bëjmë këtë betejë edhe për ju. Kjo betejë nuk njeh ngjyrim partiak, është një kauzë për Tiranën. Kjo betejë nuk mbaron këtu, përgjegjës, nismëtar dhe ideues i aferës së inceneratorit të Tiranës është një dhe vetëm një, Erion Veliaj. Ky hajdut, i pafytyrë që doli nga zyrat e SPAK tha se ishte në bashkëbisedim vullnetar me kolegë. Altin Dumani, po të bëj një thirrje publike sot, ngrihu në lartësinë e detyrës tënde, para pak ditësh në Komision Parlamentar e shprehe qartazi se nuk mund të ishe koleg me një hajdut. Lëri fjalët dhe tregoje me vepra. Boll mbajtët kryetarin e opozitës pa asnjë akuzë pa asnjë provë në arrest shtëpie, Sali Berisha ka 11 vite që ka ikur nga pushteti, ndërkohë kemi një hajdut si Erion Veliaj, çdo ditë që qëndron në zyrë prish provat. Këtë betejë do ta çojmë deri në fund. Erion Veliajt nuk do t’i ndahemi këmba këmbës,”-tha Belind Këlliçi në fjalën e tij.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në fjalën e tij në protestën që po mbahet para Bashkisë së Tiranës, është shprehur se kësaj godine ka kohë që i ka dalë tymi. Ai shton se kjo betejë është për dinjitetin njerëzor, ndërsa fton policinë shtetit që të bashkohet me ta dhe të arrestojë hajdutët dhe kriminelët.
“Kësaj bashkie ka kohë që i ka dalë tymi. Kjo bashki ka kohë që është mbytur nga korrupsioni. Kjo bashki ka marrë fund që kur është marrë peng na banda e inceneratorëve. Kjo është një betejë për dinjitetin njerëzor. Bashkia është për të gjithë qytetarët e Tiranës, nuk mund të jetë strofull e hajdutëve dhe kriminelëve. Ne jemi këtu për këtë xhaxha që vjen gjithmonë, me dorë të thyer dhe na vendos flamurin. Pak ditë më parë, Tirana u përmbyt me vetëm pesë minuta shi. Pse? Sepse taksat tuaja vidhen. Ky kriminel duhet të nxirret zvarrë nga kjo godinë. E ftoj Policinë e Shtetit, na ndihmoni të arrestojmë këta hajdutë. Tirana më hajdutë me tanga, këto monstra politike dhe njerëzore. Dorëzohu vetë, para se të jetë ky popull që të kapë prej zverku."
Pas disa orësh fjalime, organizatorët njoftuan se protestat do të vazhdojnë. Siç është kthyer në ritual, të martën e radhës, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj./ZËRI