SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkodër, ku po merr pjesë në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në këtë degë, ndërsa paralelisht në Tiranë vijojnë protestat kundër projekteve të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj protestuesve, duke theksuar se një pjesë e tyre janë bërë ambientalistë “krejt papritur”. Ai ironizoi akuzat ndaj qeverisë, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të nxitura nga interesa politike.
Ai theksoi se Partia Socialiste nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar dhe se projektet zhvillimore synojnë të sjellin përfitime për vendin.
“Është e lehtë që të mbash një flamur dhe ta valëvitësh. Çfarë nuk dëgjon nga këta “patriotë”. Njëri thoshte që Rama ka ulur qëllimisht çmimin e biletave të avionëve, që shqiptarët të ikin nga atdheu. Çfarë duan këta, që të rrisim çmimet e biletave të avionëve? Këta kërkojnë ta shpëtojnë Shqipërinë nga unë e nga ju. Ku ishin këta, kur vriteshin zogjtë dhe kafshët, që janë specie të mbrojtura? Ku ishin këta, kur pyjet ishin bërë vendi, ku dëgjohej vetëm një zog, sharra elektrike?
Ku ishin këta? Nuk e kam për ata që në atë kohë ishin 10 vjeç, por e kam për ata që papritur u bënë ambientalistë. Papritur morën vesh se paska një plan djallëzor për ta shitur Shqipërinë. Harrojnë se kanë përballë PS-në, që nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar. Këtu kalonin kontrabanda, që furnizonte naftën për makinerinë shkatërruese të Millosheviçit. Pala tjetër e shiste interesin kombëtar. Ata që quajnë PS-në tradhtare, janë pa din e iman. Atdheu nuk është për t’u mbajtur në gojë, por në zemër e në mendje. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, por shpëtimtarët”, u shpreh Rama.