
TIRANË- Dje, kryetari i Partisë Demokratike shkeli ligjin! Teksa kishte dalë në dritaren e banesës së tij, Sali Berisha përshëndeti të gjithë simpatizantët që ishin mbledhur poshtë banesës së tij për t'i ofruar suport moral. U duk se përfundoi me aq, me një ngritje gishtash dhe një tundje flamurësh, por jo! Me një mikrofon (nuk dihet se ku e kishte siguruar), kryedemokrati mbajti 20 minuta fjalim, kur në fakt, vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e thotë qartë se duhet të flasë vetëm me bashkëjetuesit e tij. Pra në çdo rast mund të jetë, e bija Argita; dhëndri Jamarbër ose bashkëshortja, Liria. Pra deri në një vendim të dytë duhet që t'i harronte takime dhe mitingjet si ai i djeshmi.
Por rebelizimi kundër SPAK dhe GJKKO, do t'i hapë probleme kryedemokratit. Ligji që ndalon arrestimin e tij për shkak të moshës, nuk e pengon Gjykatën që të ashpërsojë masën e sigurisë ndaj tij për mosbindje.
Aktualisht është në masën "arrest shtëpie", që e ka thyer duke komunikuar me demokratët, si në rrjetet sociale, ashtu edhe fizikisht. Tanimë, asgjë nuk e ndalon Strukturën e Posaçme, hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai që të kërkojnë një masë më të ashpër për të pandehurin Berisha. Urdhëri që lëshuan për të u shkel, tani topi mbetet në derën e tyre. Çfarë do kërkojnë? A do të paraqiten në GJKKO me një masë më të ashpër sigurie për kryedemokratin? Apo do ta lejojnë që të zhvillojë aktivitetin e tij politik nga dritarja e banesës?
Në këto kushte, masa aktuale është tërësisht e pavlefshme, njëjtë sikur të ishte ende në 'detyrim paraqitje'. Ndërkohë që Berisha u hap gjithmonë e më shumë probleme në sfidën e tyre me SPAK, avokatët e kryedemokratit kërkuan dje lirimin e tij në Apel, por gjasat janë që të mos e marrin atë që kërkojnë. "Fajin" për këtë, sigurisht, e ka Berisha!/ZËRI