Politikë

'Biznes me Serbinë'/ The Frontliner: Escobar është shkarkuar nga detyra. DASH: S'është e vërtetë

Si qëndron e vërteta? DASH zbulon a u shkarkua vërtetë nga posti i tij, Gabriel Escobar.

k.m.
'Biznes me Serbinë'/ The Frontliner: Escobar është
Gabriel Escobar

UASHINTON- Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, u raportua se ishte shkarkuar nga detyra e tij si i dërguar i posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas mediave të huaja, kjo lëvizje vjen pas hetimeve që ka bërë revista "THE FRONTLINER", e cila zbuloi konflikte të interesi dhe hodhi dyshime mbi integritetin e tij diplomatik. Konfirmimi i shkarkimit të Escobar, sipas tyre, erdhi nga një burim brenda Kongresit Amerikan menjëherë pasi Vudi Xhymshiti, kryeredaktor i "THE FRONTLINER", u shfaq në një emision televiziv duke diskutuar mbi rolin jetik të shtypit në demokraci dhe pengesat me të cilat përballen gazetarët kur sfidojnë figurat me ndikim.

Polemika rreth Escobar filloi me një raport të 22 marsit 2024 nga THE FRONTLINER, me autor Vudi Xhymshiti. Raporti detajonte pretendimet për lidhje financiare midis familjes së Escobar dhe organeve qeveritare serbe, duke vendosur në dyshim neutralitetin e tij në dialogun e ndjeshëm Kosovë-Serbi. Duke marrë parasysh të gjithë pretendimet, edhe mediat serbe nuk mbetën duarkryq. Tanjug kërkoi përgjigje zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të mësuar nëse Escobar ishte shkarkuar ose jo nga detyra si i dërguar i posaçëm për rajonin. 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të pyetjes së Tanjug, nëse mund ta konfirmonte lajmin e publikuar nga portali britanik tha se e gjitha është një lajm i rremë. Sipas tyre, ai nuk është shkarkuar nga detyra, por thjesht duhet të ndryshojë post, pasi mandatit të tij po i vjen fundi. 

"Të gjithë diplomatët e karrierës jashtë vendit ndërrohen çdo një deri në katër vjet, që është një praktikë e rregullt. Si oficer diplomatik, Escobar ka qenë në pozicionin e tij aktual për tre vjet dhe është planifikuar të kalojë në detyrën e tij të radhës në javët në vijim. Deri sa  tranzicioni të ndodhë, ai do të qëndrojë në pozitën e zëvendësndihmës sekretarit në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor,"-thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Tanjug.

Escobar u emërua në detyrë në vitin 2021. Diplomati i karrierës, Gabriel Escobar, e njeh shumë mirë situatën në Ballkan, dhe për këtë pajtohen pothuajse të gjithë. Ai flet disa gjuhë, përfshirë edhe serbishten, dhe që nga viti 1998 ai ka mbajtur pozicione të njëpasnjëshme në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali të Zi. Escobar, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak. Po ashtu, ai ka mbajtur pozita të larta në Ambsadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut./ZËRI

Poll

MOS HUMB