
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në konferencë me gazetarët ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi, ku u takua me emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje.
Meta tha se shfaqja e Ramës në Greqi ishte tallava, dhe se vetëm Partia e Lirisë do të mund që të kthejë çunat e Londrës në Shqipëri.
Sa i takon votës së diasporës, që nuk do të realizohet as në këto zgjedhje, Meta tha se Partia e Lirisë ka qënë gjithnjë në mbështetje të të drejtës së emigrantëve për të zgjedhur.
“Regjim i kalbur dhe i korruptuar në palcë. Të gjithë e dinë si administrata e bashkive të Rilindjes dhe administrata shtetërore. Duke shkulur administratën e për t’i dërguar atje. I vetmi zhvillim pak pozitiv për ata shqiptarë që shkuan, ishin këngëtarët.
PL është për votën e diasporës, ka qenë edhe dje është edhe sot. Ata e dinë shumë mirë se kush do ti rikthejë çunat e Londrës në vend. Ajo tallavaja që ka kushtuar dhjetëra milion euro mund të ishin dyfishuar pensionet për të gjithë qarqet ku u shkulën patronazhistët e u dërguan atje”, tha Meta.