
TIRANË- Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka lancuar nismën e tij më të fundit; kërkon mësues për Greqinë. Në njoftimin që ka bërë në rrjetet e tij sociale, Rama njofton se kërkohen mësues për një program për t'u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të shqiptarëve të Greqisë. Por jo vetëm kaq, kërkohen mësues edhe për letërsinë dhe historinë. Koha për të aplikuar është deri më 30 qershor.
"Ambasada iu bën thirrje të gjithë mësuesve e mësueseve të licencuar të gjuhës shqipe, që të aplikojnë duke paraqitur vetëm dokumentin e licencës së mësuesit. Gjithashtu, të gjithë ata që janë të interesuar të hyjnë në kurset e trajnimit për të dhënë lëndën e gjuhës shqipe dhe marrë certifikatën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,"-shkruan Rama ndër të tjera në postimin e tij.
Edi Rama: Ambasada e Republikës së Shqipërisë informon çeljen e procesit të mbledhjes së shprehjeve të interesit, për programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Mësues për Greqinë”. Ky program ka në bazën e vet mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve të Greqisë. Ai do të shtrihet më pas edhe në mësimin e letërsisë dhe historisë së Shqipërisë. Ambasada iu bën thirrje të gjithë mësuesve e mësueseve të licencuar të gjuhës shqipe, që të aplikojnë në adresën bashkëlidhur www.mesuespergreqine.gr (linku do të aktivizohet së shpejti) për të shprehur gatishmërinë dhe paraqitur vetëm dokumentin e licencës së mësuesit. Gjithashtu, të gjithë ata që janë të interesuar të hyjnë në kurset e trajnimit për të dhënë lëndën e gjuhës shqipe dhe marrë certifikatën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë të mirëpritur të aplikojnë. Ky program mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare dhe të gjithë mësuesve të përzgjedhur do t’u lidhet një pagë mujore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aplikimet janë hapura deri në 30 qershor 2024
POSTIMI I PLOTË I RAMËS:
Dje, Rama mbajti një takim me shqiptarët në Greqi. Gjatë udhëtimit të tij në Athinë, Rama shoqërohej në Greqi nga pjesa më e madhe e kabinetit qeveritar, disa kryebashkiakë socialistë, si dhe gazetarë dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Turi i Ramës me diasporën do të vijojë më pas dhe në Itali, Britaninë e Madhe dhe në Gjermani./ZËRI