
TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri do të dalë sërish këtë të martë para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në seancën e radhës ndaj tij. Seanca pritet të nisë në orën 13:00. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar 2 vjet e 6 muaj burg për Belerin. Ndërsa për Fredi Kokoneshin, SPAK ka kërkuar 2 vjet burg, por që do i konvertohen në 4 vjet shërbim prove, për shkak të problemeve shëndetësore që ka. Po ashtu dhe djali i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Çështja është në “dorën” e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka. Kjo e fundit ditët e fundit është vënë në “shënjestrën” e mediave greke, të cilat e akuzojnë se ka falsifikuar disa dokumente për të justifikuar qëndrimin e saj në mënyrë të parregullt në Greqi, në vitet e para pas tranzicionit.
Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ai dyshohet se ka blerë vota, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshin. Beleri nuk ka kryer betimin, pasi gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Çështja Beleri ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë “mollë sherri” edhe në marrëdhëniet me Greqinë./ZËRI